Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë në samitin e 6 dhjetorit. Këtë ka lajmëruar presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili reagoi me zemërim ndaj emërimit të politikanin serb, Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim.
“Jo vetëm që i kanë shkelur të gjitha normat e marrëveshjes së Brukselit, por edhe të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e kanë dert sepse kjo është në interesin e një fuqie evropiane”, deklaroi presidenti serb, duke theksuar se zoti Rashiq nuk e ka besimin e askujt në Kosovë, “por e ka besimin e kryeministrit Albin Kurti dhe perëndimit dhe mendojnë se kësisoj mund të frikësojnë serbët”, raporton VOA.
Ai përsëriti se Kosova është “shenjtëria më e madhe serbe”. “Më mirë të mos jem sesa t’ua dorëzoj në duar. Dhe nuk do t’ua dorëzoj. Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë me 6 dhjetor”, tha ai, duke shprehur zemërimin me “reagimin e butë të Bashkimit Evropian” ndaj emërimit të zotit Rashiç.
Ai iu referua një deklarate të zëdhënësit të BE-së për mediat serbe i cili citohet të ketë thënë se “është me rëndësi thelbësore që emërimet e ministrave të bëhen në pajtim më Kushtetutën e Kosovës. Në rastin konkret i bëjmë thirrje Kosovës të sigurohet që janë përmbushur të gjithë hapat procedural për emërimin e ministrit që përfaqëson bashkësitë jo shumicë”.
Emërimi i ministrit Rashiq u bë më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish-ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.