Gjermania dhe Franca kërkojnë zgjedhje të reja për katër komunat në veri të Kosovës. Ishte kjo zgjidhja e ofruar nga Presidenti Emmanuel Macron, për zbutjen e tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit në samitin e Komunitetit Politik Europian në Moldavi.
Shefi i Elizesë, bashkë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ulën në të njëjtën tryezë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
“Sapo përfunduam takimin me të katërt ne së bashku, me të dy presidentët në të njëjtën tryezë dhe kërkuam për një vendim të qartë deri në javën e ardhshme. Ajo çfarë kërkuam nga të dyja palët është shumë e thjeshtë: organizimin, sa më shpejt që të jetë e mundur e zgjedhjeve të reja në ato katër komuna si pjesë e përkushtimit nga ana e Kosovës, pjesëmarrjen e qartë në këto zgjedhje të partive serbe, si dhe me prioritet të lartë një zgjidhje të shpejtë për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës”, tha Macron.
Në përfundim të takimit katër palësh, Presidentja Osmani u shpreh e gatshme që Kosova ta shqyrtonte si mundësi, mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore. Kryetarja e shtetit sqaroi se organizimin e një votimi të ri e lejon ligji, por duhet të ndodhë përmes një peticioni të iniciuar nga qytetarët serbë që jetojnë në komunat veriore.
Sa i përket situatës në Leposaviq, Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, Osmani tha se qetësia mund të vijë vetëm nëse Serbia ndal bandat kriminale atje.
Më herët, Presidenti serb akuzoi Kosovën duke pretenduar se është fajtore e vetme për krizën në veri. Ndërsa gjatë gjithë samitit, dy presidentët kanë shkëmbyer akuzat.