Në një kohë kur partitë politike kanë nisur përgatitjen për zgjedhjet vendore, ambasadori britanik kërkon nga forcat garuese që t’i paraqesin si alternativa qytetarëve kandidatë të pastër.
Gjatë një aktiviteti të organizuar në Kuvendin e Shqipërisë me temë “Vota ime vlen”, shefi i diplomacisë angleze e bëri të qartë që kjo votë nuk duhet të shkojë për persona të lidhur me krimin.
“Është shumë e rëndësishme që të gjitha partitë të shmangin blerjen e votës të shmangin krimet zgjedhore, të shmangin abuzimet me burimet njerëzore dhe për këtë arsye do të doja të inkurajoja partitë që të kenë kandidatë të pastër që të mos jenë të lidhur me krimin dhe korrupsionin”, tha Alistar King-Smith.
Shqipëria është një vend aleat me Britaninë e Madhe, por që të jetë një partner i fortë duhet të luftojë armikun e brendshëm, krimin dhe korrupsionin.
“Do të vazhdojmë të mbështesim proceset zgjedhore. Nëse do të mund të adresojmë krimin dhe korrupsionin, Shqipëria do të mund të lulëzojë dhe të jetë një nga partnerët më të fortë ndërkombëtar në të ardhmen”, shtoi ambasadori britanik.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili ka nisur punën për organizimin e vendoreve 2023.