Demokracia amerikane është nën sulm! Janë fjalët e presidentit Joe Biden, i cili akuzoi paraardhësin Donald Trump dhe mbështetësit e tij se po minojnë demokracinë në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit.
“E dini, demokracia amerikane është nën sulm pasi ish-presidenti i mundur i Shteteve të Bashkuara refuzoi të pranojë rezultatet e zgjedhjeve të 2020-s. Ai refuzoi të pranojë vullnetin e njerëzve dhe faktin se kishte humbur”, tha Biden.
Duke u ndalur, në veçanti, te sulmi ndaj bashkëshortit të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, Presidenti tha se pretendimet e rreme të zotit Trump për zgjedhje të manipuluara kanë “ushqyer rritjen e rrezikshme të dhunës politike dhe frikësimit të votuesve gjatë dy viteve të fundit”.
“Ndërsa qëndroj këtu sot, ka kandidatë që konkurrojnë për çdo nivel posti në Amerikë, për guvernator, për Kongres, për prokurorë të përgjithshëm, për sekretarë të shteteve, ka ndër ata që nuk premtojnë të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve ku ata marrin pjesë. Kjo është rruga drejt kaosit në Amerikë. Është e paprecedentë. Është e paligjshme. Dhe, është jo amerikane”.
Presidenti, i cili është përpjekur të krijojë një kontrast mes planeve ekonomike të demokratëve dhe republikanëve, vuri në objektiv republikanët “ultra Maga”, një referencë ndaj sloganit të zotit Trump “Make America Great Again”, duke i quajtur ata pakicë, por “forcë lëvizëse” e Partisë Republikane.
Republikanët replikuan se Biden po përpiqej të përçante vendin në prag të zgjedhjeve të 8 nëntorit, ku në lojë janë vendet e të dyja dhomave të kongresit. Shumica e sondazheve sugjerojnë se republikanët do të fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa për Senatin gara do të jetë e ngushtë.