Opozita maqedonase kërkon që zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm të mbahen së bashku me zgjedhjet presidenciale, por për këtë nuk po mund të bien dakord me qeverinë. Opozita thotë se një datë e përbashkët do të ulte shpenzimet e procesit, por qeveria thekson se duhet respektuar Kodin zgedhor, megjithëse nuk e përjashton mundësinë për mbajtjen në datën e njejtë të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.
Ndërkohë, për partitë shqiptare kjo nuk paraqet ndonjë problem, megjithëse opozita shqiptare ka disa kushte.
Partitë politike në Maqedoninë e Veriut po kërkojnë një zgjidhje lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale sa i takon një date për mbajtjen e tyre, ndërkohë që opozita maqedonase nuk ngul këmbë më për zgjedhje të parakohshme. Kjo e fundit tani kërkon që zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të mbahen në një ditë me arsyetimin për t’iu shmangur shpenzimeve të panevojshme prej miliona eurove. Zgjedhjet e rregullta janë në pranverë të vitit që vjen.
Ndërkohë, drejtuesi opozitar, Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së dëshiron që me çdo kusht zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të mbahen së bashku, ndërsa akuzon rivalin e tij politik, kryeministrin dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski se “nuk është në gjendje të ulet me partnerët e tij dhe të caktojë datën për këto zgjedhje”.
“Le të shkruajë në letër një datë të pranueshme për të dhe si do që të vendosë, ne do ta pranojmë atë, qoftë edhe afër festave të mëdha fetare të Ramazanit dhe Pashkëve”, tha zoti Mickovski.
Nga ana tjetër, Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se për çësjhtjen e datës së përbashkët të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale duhet të ketë një marrëveshje dhe se VMRO-ja duhet të dërgojë përfaqësuesin e saj në grupin e punës që aktualisht po diskuton për Kodin zgjedhor në Ministrinë e Drejtësisë.
“Vetëm VMRO-DPMNE-ja nuk ka deleguar përfaqësuesin e saj dhe nuk mundet një ose dy parti të vendosin për një proces ku bëjnë pjesë tridhjetë parti”, tha zoti Kovaçevski.
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka lënë të kuptohet se raundi i parë i zgjedhjeve presideciale duhet të mbahet jo më herët se data 14 mars dhe raundi i dytë jo më vonë se data 8 maj; ndërkohë që për zgjedhjet parlamentare thotë se “janë një çështje tjetër për çka ka ende kohë”. Ai pret nga drejtuesit e partive politike që ta njoftojnë deri para fundit të vitit nëse do të kenë arritur një konsensus për datat e zgjedhjeve.
Opozita shqiptare nga ana tjetër, çështjen e zgjedhjeve të përbashkëta e lidh me ndryshimet kushtetuese për çka ka disa kushte:
“Kushti i parë ka të bëjë me rrugëtimin drejt BE-së. Dhe për këtë ne nuk do të kemi asnjë kompromis. Kushti i dytë ka të bëjë me amendamentin kushtetues për mosvjetrimin e rasteve gjyqësore mbi keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Ne do të bëjmë ç’mos që atë amendament ta vendosim në Kushtetutë dhe njerëzit e emëruar në detyra zyrtare të mos mund të pasurohen në kurriz të qytetarëve. Dhe kushti i tretë ka të bëjë me formulimin ofendues të gjuhës shqipe (20%)”, thotë Afrim Gashi, kryetar i partisë Alternativa.
Ndërkohë, lidhur me ndryshimet kushtetuese ku duhet duhet të përfshihet pakica bullgare, intensiteti i debateve duket se ka rwnë edhepse opozita maqedonase vazhdon të mbajë qëndrimin kundërshtues për këto ndryshime, të cilat paraqesin kusht për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian./