Presidenti turk Recep Tajip Erdogan festoi rezultatet e arritura në zgjedhjet presidenciale të së dielës, të cilat i siguruan atij 49.51 për qind të votave sipas Këshillit të Lartë Zgjedhor.
Por në të njëjtën kohë ai akuzoi opozitën e udhëhequr nga Kemal Kilicdaroglu dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po përpiqen të ndërhyjnë në rezultatet e zgjedhjeve.
“Kombi ynë ka rimarrë vullnetin e tij të lirë, pavarësisht nga ndërhyrjet politike të opozitës, të Pensilvanisë (ku lindi presidenti amerikan Joe Biden dhe ku Fetullah Gulen jeton në mërgim), mediave sociale dhe kopertinave të revistave të huaja”, shkroi Erdogan në Twitter.
Presidenti turk më pas premtoi një rezultat “historik” në balotazh kundër Kilicdaroglu, i cili me koalicionin e tij prej gjashtë partish mori 44.89 për qind të votave.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të monitorojnë “nga afër” procesin zgjedhor në Turqi.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Vedant Patel, hodhi poshtë akuzat e bëra nga Erdogan, duke e cilësuar ndërhyrjen në votime në Turqi si “plotësisht të rreme”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mbështesin asnjë parti në zgjedhje dhe interesat tona janë dhe do të vazhdojnë të jenë proceset demokratike.