Për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në Mal të Zi më 30 gusht ka reaguar Presidenti Ilir Meta.
Përmes një videomesazhi në Facebook, Meta shprehet se këto zgjedhje janë të rëndësishme për qytetarët dhe një mënyrë për të forcuar prespektivën drejt europës.
Gjithashtu ai u bën thirrje qytetarëve shqiptarë për një pjesëmarrje të gjerë e për të pasur një përfaqësim sa më të gjerë në parlamentin e Malit të Zi.
“Zgjedhjet e 30 gushtit janë një mundësi e shkëlqyer për të gjithë qytetarët e Malit të Zi, për të forcuar akoma më shumë perspektivën europiane të vendit të tyre.
Me këtë rast, shpreh bindjen se bashkëkombasit tanë në Malin e Zi, do ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike përmes pjesëmarrjes së gjerë, por njëkohësisht përmes mbështetjes së tyre për alternativat shqiptare, në mënyrë që përfaqësimi i tyre në Parlamentin e Malit të Zi të rritet, si dhe në të gjitha institucionet e ardhshme qeverisëse.
Të jemi krenar për rolin dhe kontributin historik që faktori shqiptar në Malin e Zi ka luajtur deri sot.
Por pa dyshim që do të luajë edhe në të ardhmen, për të garantuar perspektivën europiane të këtij vendi mik, fqinj dhe partner i pazëvendësueshëm, për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”.