VMRO-DPMNE-ja është në bisedime me më shumë parti politike për koalicion para dhe pas zgjedhor, duke mos përjashtuar edhe subjektet politike shqiptare.
I pyetur lidhur me mohimin e Lëvizjes Besa për negociata, Hristijan Mickovski nga VMRO përsëriti qëndrimin e sekretarit të partisë së tij, Igor Janushev.
“Nëse sekretari i përgjithshëm i BESA-s atë e thotë, e lëmë në ndërgjegjen e tij të tregojë nëse ajo është ose nuk është e vërtetë. Kështu që nuk kam çka të shtoj ose të heqë nga ajo që ju më pyetët. Do të mbes në atë që e ka thënë z. Janushev. Ndoshta!”, deklaroi Mickovski.
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha në emisionin “360 gradë” në Alsat, hodhi poshtë pretendimin e Janushevit.
“Përgjigje nuk mund të ketë me ndoshta ose jo. Ose ka ose nuk ka negociata. Unë mund të them me përgjegjësi të plotë se nuk ka negociata për koalicion parazgjedhor mes Lëvizjes Besa dhe VMRO-DPMNE-së dhe në këtë fazë me atë retorikë që e ka shprehur VMRO-DPMNE është edhe joserioze një qasje e tillë apo një publikim i një lajmi apo spini që do të thotë se Lëvizja Besa mund të ketë. As me LSDM-në nuk ka negociata”, tha Hoxha.
Ndërkohë, PDSH konfirmoi se është në bisedime me RDK-në e Vesel Memedit dhe LSDM-në.
Por, PDSH pohon se me LSDM-në mundësitë për koalicion janë të vogla pasi partia e Thaçit ka kushte që nuk mund t’i plotësojë qeveria e ardhshme.
PDSH shprehet se koalicion me Lëvizjen Besa nuk mund të arrihet, meqë nuk e konsiderojnë parti serioze.
“Besoj se kryetari ju ka dhënë ndonjë deklaratë paraprakisht. Për momentin nuk kemi diçka serioze”, tha Fatmire Isaku nga PDSH.
Ndërsa BDI, e pyetur nëse frikësohet se do të jetë ose jo pjesë e qeverisë pas koalicioneve të partive shqiptare pohon se qytetarët do të vendosin nëse BDI do të jetë në qeveri ose jo, transmeton Alsat.
“BDI nuk bën partneritete paraprake. BDI është në partneritet vetëm me qytetarët e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht me qytetarët shqiptarë. Dhe pikërisht qytetarët do të vendosin për të ardhmen e BDI-s. Ne jemi të bindur dhe këtë e tregojnë edhe anketat dhe hulumtimet e ndryshme se BDI nuk ka konkurrencë, në veçanti në spektrin politik shqiptar në RMV”, tha Kreshnik Bekteshi nga BDI.
Përderisa ka qëndrime të ndryshme për koalicione nga partitë politike para fillimit zyrtar të fushatës parazgjedhore, nga KSHZ rikujtuan partitë se fushata në media financohet nga buxheti i shtetit, andaj partitë nuk duhet të lejojnë “fushatë të zezë” por korrekte dhe demokratike.