Në orët e paradites kanë në Kosovë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend kandidatët për kryeministër dhe udhëheqësit politikë të vendit
Në orët e paradites kanë në Kosovë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend kandidatët për kryeministër dhe udhëheqësit politikë të vendit.
Ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, ka votuar në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, pas çka për mediat tha se “sot është një ditë e bardhë për Kosovën”, ku qytetarët nëpërmjet vullnetit të lirë do ta përcaktojnë fatin e vendit por edhe fatin individual të tyre.
“Natyrisht që është një ditë e ftohtë, por i ftojë qytetarët tanë që masovikisht të marrin pjesë në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin. E, një ftesë dhe inkurajim i veçantë shkon për të gjitha gratë dhe vajzat e Kosovës që të marrin pjesë sot në këtë proces, sepse barazia fillon tek kutitë e votimeve”, tha Osmani.
Kryeministri i deritanishëm dhe kandidat për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka votuar në Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, pas çka ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote të dalin të votojnë në zgjedhjet parlamentare të vendit.
“Pres të kemi një proces të rregullt zgjedhor në mënyrë që të mirëmbajmë standardet e organizimit të zgjedhjeve të rregullta sipas standardeve më të mira evropiane në zgjedhje të lira demokratike, ku qytetarët lirshëm e thonë fjalën e tyre”, shtoi ai.
Ndërkaq, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, votoi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës.
“Sot është një ditë e bardhë, e ndritshme ashtu siç do të jetë e ardhmja. Kosova si shtet i pavarur këtë të diel i kthehet popullit si burim i sovranitetit. Me dashuri për vendin duhet të votojmë”, tha Kurti.
Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, po ashtu votoi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Hoxhaj, i cili për herë kandidon për pozitën e kryeministrit, tha se qytetarët e Kosovës sot janë para dy opsioneve.
“Ne mendojmë që qytetarët e Kosovës sot janë para dy opsioneve, para opsionit të rimëkëmbjes ekonomike të stabilitetit politik dhe të integrimit ndërkombëtar apo para opsionit të mjegullës dhe të izolimit ndërkombëtar. Prandaj, unë pres vendimin që do të marrin qytetarët dhe verdikti që do ta japin sot gjatë ditës është verdikti më i rëndësishëm”, tha Hoxhaj.
Ndërsa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, votoi në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë, pas çka në fjalën e tij para mediave u bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës,
“I lus të gjithë qytetarët e vendit që ta shfrytëzojnë të drejtën, pra të votojnë. Këto zgjedhje janë me rëndësi që t’u japin legjitimitet institucioneve të Kosovës që dalin nga këto zgjedhje. Na presin shumë sfida, përballje me Serbinë, situata me pandeminë dhe forcimi i brendshëm i vendit. Pra, ju lutem, votoni të gjithë”, theksoi Haradinaj.
Sot në Kosovë mbahen zgjedhjet e teta parlamentare që pas luftës së vitit 1999, të cilat u shpallën pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se formimi i qeverisë së qershorit të vitit 2020 ishte jo-kushtetues, e cila mohoi votën vendimtare të një deputeti në seancën parlamentare për votimin e qeverisë së re, të kryesuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).