Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike ka disa kandidatë të përshtatshëm për të qenë përballë Ogerta Manastirliut në garën për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e pjesshme.
Ai tha se PD do të zhvillojë bisedime me aleatët e partitë e tjera opozitare për emra kandidatësh, ndërsa bëri të qartë se zëri kryesor për përzgjedhjen do të jetë Partia Demokratike.
“PD ka jo një, por disa kandidatë të shkëlqyer, të pakrahasueshëm me Korbën e Korrupsionit, e cila përbën kandidaten më të zezë në tërë historinë e qytetit të Tiranës. Po unë besoj se kandidatët nuk mund të jenë gjë tjetër veçse emra.
Ka emra… nuk jam unë i autorizuar të nxjerr emra këtu, por të siguroj që PD ka kandidatë të pakrahasueshëm me Korbën e Covid-it, përgjegjëse direkte me vjedhjet e tmerrshme të fondeve dhe politikave që ndoqi gjatë pandemisë së Covid-it, duke i çuar vdekjet e shqiptarëve në nivelet më të larta në botë.
Janë dy momente të rëndësishme. Së pari, PD do të bëjë përpjekje të hyjë me koalicion. Ne do përpiqemi të rakordojmë, biem në ujdi në bashkëpunim me ato parti që ndihen opozitare.
Aty pastaj, sigurisht, debati do të jetë për kandidaturat. Ne nuk themi që, o kandidatura jonë, o nuk ka koalicion me ne. Por secili është i vetëdijshëm që zë kryesor për përzgjedhjen do të jetë PD”, deklaroi Berisha.
Ky i fundit u ndal më tej edhe te situata në Kuvend, ku seanca e fundit plenare u mbyll pas 25 minutash me miratimin vetëm nga ana e mazhorancës të programit qeverisës dhe përbërjes së kabinetit të ri qeveritar.
Berisha paralajmëroi protesta opozitare, si rrugën e vetme për t’i imponuar qeverisë ligjin dhe Kushtetutën.
“Siç e patë ju, parlamentin e mbylli Edi Rama me Niko Peleshin, të cilët donin me çdo kusht që shqiptarët të mos kuptonin, të mos njiheshin me vjedhjet, shpërdorimet monstruoze të Edi Ramës, familjes dhe ministrave të tij.
Ndaj dhe përdorin dhunën, shkelmimin e Kushtetutës, shkelmimin e rregullores për të mbyllur seancën. Kjo është një betejë në vazhdim. Ne do të insistojmë me të gjitha mënyrat.
Është bërë një vendim që të kërkohet një mocion mosbesimi për Peleshin e Ramës dhe do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Tani unë u garantoj ju se protesta dhe vetëm protesta është rruga e vetme që ka opozita për t’i imponuar këtij narkoregjimi ligjin dhe Kushtetutën”, tha ai.