Gjatë një konference për media, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, megjithatë tha se duhen edhe hapa të tjerë që do të çonin në shtensionimin e mëtejmë të situatës në veri, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Pak kohë më parë Qeveria e Kosovës ra dakord me disa nga kushtet e BE-së për të ulur tensionet me Serbinë në Veri të vendit. Një nga kërkesat kryesore të BE-së ndaj Kosovës, për të bërë një hap drejt depërshkallëzimit të situatës në Veri, ishte zvogëlimi i pranisë së policisë në dhe rreth komunave veriore të banuar me shumicë serbe të cilën Qeveria e Kosovës e dakordoi.
Ky vendim është mirëpritur nga Bashkimi Evropian, megjithatë, gjatë një konference për media, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se duhen edhe hapa të tjerë që do të çonin në shtensionimin e mëtejmë të situatës në veri, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Këto janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë. Sikurse çdo gjë në dialog, afatet kohore nuk janë në dorë tonë. Afatet kohore varen nga aftësia e palëve për të përmbushur kërkesat e nevojshme, kriteret apo zotimet. Në mënyrë që të zbutet kriza aktuale, e kemi thënë shumë shpesh, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur në të gjitha katër komunat. Ato duhet të organizohen në mënyrë gjithëpërfishirëse. Kjo nënkupton pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, tha Stano.
Stano tha se për BE-në është shumë e rëndësishme që procesi i dialogut mes dy vendeve të rinisë, në mënyrë që palët të mund të trajtojnë çështje të rëndësishme.
“Dhe çështjet më të rëndësishme janë Marrëveshja e Ohrit dhe Aneksi i saj”, tha Stano, duke iu referuar marrëveshjes së arritur në Bruksel në shkurt, dhe aneksit të saj të arritur në Ohër një muaj më pas. Kjo marrëveshje synon që të shtyjë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.
Më 10 korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për disa hapa për shtensionimin e situatës, përfshirë zvogëlimin e pranisë policore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e reja në veri, nuk mund të mbahen pa shtensionimin e plotë të situatës.
Tensionet në veri u rritën në maj të këtij viti, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale. Serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj, që kanë dalë nga zgjedhjet e prillit, votime që u bojkotuan nga partitë serbe dhe banorët serbë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova që të shtensionojë situatën, duke tërhequr policinë dhe që kryetarët të mos punojnë nga ndërtesat komunale. Nga Serbia është kërkuar që të inkurajojë serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.
Si pasojë e mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja po zbaton disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ka thënë se do t’i heqë kur Prishtina të plotësojë kërkesat e Brukselit.