Shtetet kandidate për Bashkimin Evropian nga Ballkani Perëndimor kanë përjetuar një vonesë me vite në rrugën e tyre drejt anëtarësimit. Përpara samitit të tyre kryesor të zgjerimit më 4 nëntor, Euronews ka analizuar arsyet pse procesi ka humbur hovin në vitet e fundit dhe pse disa qytetarë të rajonit tani kanë rezervime.
“Duke pritur për Godon”, një dramë teatrale ku protagonistët presin diçka që kurrë nuk ndodh, është bërë një shprehje e preferuar e kryeministrit shqiptar, Edi Rama për të përshkruar ndjenjën që disa vende kandidate kanë ndaj një anëtarësimi të mundshëm në BE.
“Shqipëria është Estragoni, Bashkimi Evropian është Samuel Beckett”, tha Rama në qershor të vitit 2022, pas një samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Aktualisht, nëntë vende që synojnë të bashkohen me BE-në dhe kanë statusin e kandidatit ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit. Shtatë prej tyre kanë hapur tashmë negociatat e anëtarësimit, faza e fundit e rrugës drejt anëtarësimit.
Megjithatë, procesi ka ngecur nga ana e Brukselit të paktën që nga koha e Komisionit të mëparshëm Evropian, i udhëhequr nga Jean-Claude Juncker.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar përparim për shumë vite. Shqipëria dhe Serbia aplikuan për t’u bashkuar me BE-në në 2009, Mali i Zi në 2008 dhe për Maqedoninë e Veriut pritja ka vazhduar që nga 2004.
Kosova ka dorëzuar aplikimin zyrtar për t’u bërë pjesë e BE-së më 15 dhjetor të vitit 2022 dhe deri më tani kërkesa nuk është shqyrtuar nga organet e Unionit.

Procesi duket se ka ngadalësuar, gjë që ka shkaktuar zemërimin tek udhëheqësit dhe qytetarët e vendeve të rajonit – deri më tani.
Kroacia, vendi i fundit që u bë anëtar i BE-së në 2013, duhej të priste 10 vjet nga aplikimi deri tek miratimi përfundimtar, ndërsa Rumania dhe Bullgaria duhej të negocionin për 12 vjet.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor ende po presin, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të përputhur politikat dhe për të zbatuar reforma. Megjithatë, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe ndryshimet e shpejta gjeopolitike kanë qenë disa nga arsyet kryesore pas shtytjes së rinovuar për të avancuar procesin e zgjerimit dhe interesit strategjik të Brukselit për të mirëpritur anëtarë të rinj.
Zgjerimi në jug-lindje konsiderohet gjerësisht si një mjet kryesor i politikës së jashtme dhe një prioritet strategjik për BE-në në tërësi, aq sa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e riemëroi atë si “ribashkimi i Evropës” në fjalimin e saj të fundit për Gjendjen e Unionit.
“Ka një ngadalësim të procesit të zgjerimit nëse e krahasojmë me angazhimin retorik që dëgjohet nga zyrtarët e lartë dhe politikanët e BE-së”, tha Teona Lavrelashvili, bashkëpunëtore kërkimore në Wilfrid Martens Centre for European Studies, për Euronews.
“Të bëhesh anëtar i BE-së është bërë shumë më kërkues. Vendet duhet të respektojnë një sërë rregullash, të sigurojnë sundimin e ligjit dhe të plotësojnë një sërë treguesish të performancës, gjë që nuk ka qenë rasti në anëtarësimet e mëparshme. Gjithashtu, gjeopolitika është bërë shumë më e vështirë për t’u përballuar,” shtoi ajo.
Për t’u bashkuar me BE-në, çdo vend duhet të përmbushë një grup standardesh qeverisëse të njohura si kriteret e Kopenhagës, të vendosura në vitin 1993, me Komisionin Evropian që vlerëson përparimin e tyre, ndërsa votimi përfundimtar unanim i takon udhëheqësve të 27 shteteve anëtare.
Frika nga shumë veto të vendet e BE-së

Javën e ardhshme, Komisioni Evropian do të prezantojë paketën e zgjerimit për 2025, një studim vjetor për të vlerësuar përparimin e bërë nga kandidatët për BE-në.
Këtë vit, paketa do të përfshijë edhe “rishikimin e politikës para-zgjerimit” mbi ndryshimet që anëtarët aktualë të BE-së duhet të miratojnë për të përfshirë të ardhurit e rinj, thanë burime në Bruksel për Euronews.
Sipas Lavrelashvilit, shtetet aktuale anëtare të BE-së kanë disa shqetësime për anëtarët e rinj, veçanërisht lidhur me kohezionin.
Por sipas saj, frika kryesore është se një BE e zgjeruar do të lëvizte edhe më ngadalë sesa tani në çështjet ku kërkohet unanimiteti. “Arkitektura institucionale e BE-së është elefanti i vërtetë në dhomë”, tha ajo.
Të gjitha 27 shtetet anëtare duhet të bien dakord që të merret një vendim në një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë politikën e jashtme dhe financiare, dhe shtimi i më shumë anëtarëve pa reformë institucionale të bllokut do të thotë më shumë zëra që mund të përdorin të drejtën e vetos në tavolinën e negociatave.
Parlamenti Evropian, për shembull, beson se “proceset e zgjerimit dhe unifikimi evropian duhet të ecin paralelisht” dhe se “reformat institucionale dhe financiare të BE-së janë të nevojshme për të përballuar sfidat e procesit aktual të zgjerimit dhe për të siguruar aftësinë e BE-së për të përthithur anëtarë të rinj,” thuhet në rezolutën e fundit të miratuar mbi këtë çështje.
Një mënyrë për të thyer ngërçin?

Gjatë viteve, një nga mënyrat për të thyer këtë ngërç ka ardhur në formën e dhënies së anëtarësimit në BE për të ardhurit e rinj pa të drejtën e vetos.
Aktualisht, nuk ka pasur asnjë diskutim të tillë në asnjë nivel midis vendeve të BE-së për këtë propozim, thanë për Euronews tre burime të ndryshme të BE-së.
Por Steven Blockmans, nga ‘think tank’ Centre for European Policy Studies (CEPS), mendon se kjo mund të ndryshojë në të ardhmen e afërt.
“Nuk mund të mohohet që kjo do të sillte, natyrisht, një diferencim midis vendeve të reja dhe atyre ekzistuese. Por do të ishte në natyrë të përkohshme”, tha Blockmans për Euronews.
Ky opsion do të lehtësonte marrjen e vendimeve midis shteteve anëtare, deklaroi profesori.
Sipas tij, do të ishte me kohë të kufizuar dhe e pranueshme nga pikëpamja ligjore.
“Nuk do të krijonte shkelje (në ligjin e BE-së) sepse do të aplikohej për të gjithë kandidatët e ardhshëm që do të bashkohen me BE-në, kështu që nuk do të kishte diskriminim midis tyre”, përfundoi ai.




