Sulmuesi i krahut, Edon Zhegrova, do të jetë pjesë e skuadrës së Baselit për edicionin e ri. Mediumet belge kanë raportuar të mërkurën se Baseli tashmë ka arritur marrëveshje me skuadrën e Genkut për transferimin e Zhegrovës, që do të zyrtarizohet ditët e ardhshme.
Për kartonin e Zhegrovës, skuadra e Baselit do të paguajë tre milionë euro dëmshpërblim. Në fakt, thuhet se ishte Zhegrova ai që ka insistuar në një lëvizje të tillë për shkak se nuk ka dëshiruar kthimin te Genku. 21-vjeçari për një vit e gjysmë ishte huazuar te Baseli, që muaj më parë nuk e shfrytëzoi të drejtën e blerjes së tij për 3.5 milionë franga zvicerane për shkak se pandemia e koronavirusit kishte prekur financat e klubit. Zhegrova në edicionin e fundit ka shënuar dy gola dhe ka bërë katër asistime në 19 paraqitje me Baselin në të gjitha garat.
Pas largimit nga Baseli, për Zhegrovën kishin shfaqur interesim edhe disa klube nga Ligue 1, por të cilat ishin refuzuar nga futbollisti. Ishte skuadra e Dijonit që kishte arritur marrëveshje me Genkun dhe i kishte ofruar Zhegrovës kontratë katërvjeçare, por që futbollistit nuk i kishte interesuar për shkak se insistonte në kthimin te ekipi zviceran me të cilin ka një kupë të fituar.