Ndonëse RB Leipzigu ka mohuar negociatat me Milot Rashicën, reprezentuesi i Kosovës me shumë mundësi do të largohet nga Werder Bremeni në verë.
Për të po interesohen skuadra nga vende të ndryshme. Werderi vlerësohet se ka bërë punë të shkëlqyeshme me Rashicën, sa i takon aspektit financiar. Do të përfitojë shumë nga shitja e tij.
Dhe mediat gjermane tashmë kanë nisur të merren me lojtarët që mund të zëvendësojnë Rashicën te Werderi.
Sajti “90min.de” ka përpiluar një listë prej shtatë lojtarëve që mund të jenë pasardhës të Rashicës te skuadra gjermane. Në mesin e tyre është edhe reprezentuesi tjetër i Kosovës, Edon Zhegrova.
Te Kosova, Rashica është zgjedhje e parë për lojtar të krahut të djathtë kurse Zhegrova kryesisht aktivizohet si rezervist. Ai është i huazuar te Baseli, që ka vendosur mos t’i ofrojë kontratë afatgjate. Kështu Zhegrova në verë duhet të kthehet te Genku.
Chidera Ejuke (SC Heerenveen), Jack Harrison (Manchester City), Didier Lamkel Ze (Royal Antwerpen), Mats Koehlert (Willem II), Amadou Ciss (Fortuna Sittard), Michel Vlap (Anderlecht) janë lojtarët tjerë që sipas “90min.de”, mund të jenë pasardhës të Rashicës te Werderi.
“Zhegrova është koleg i Rashicës në ekipin nacional. Lojtari i krahut ka debutuar te Kosovës në moshën 18-vjeçare. Ai tashmë ka 15 paraqitje. Zhegrova aktualisht është i huazuar te Baseli nga Genku. Vlera e tij në treg është 1,3 milionë euro”, ka shkruar “90min.de”.