Edwin Van Der Sar ka zbuluar se si ish-bashkëlojtari i tij, Zinedine Zidane shkonte në stërvitje të Juventusit me Fiat, ndërkohë që lojtarët tjerë shkonin ne Ferrari.
Van Der Sar, që tani është shef ekzekutiv te gjiganti holandez, Ajax, ka thënë se Zidane ishte krejtësisht ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës.
Ish-portieri i Manchester Unitedit ka luajtur së bashku me Zidanen për dy vjet (1999 – 2001). Ai ka thënë se ishte e vështirë të flitej me Zidanen, pasi francezi nuk ishte shumë llafazan.
Van Der Sar ka folur për Ziggo Sport, ndërsa ka treguar se Zidane është shprehur vetëm në gjuhën frënge dhe italiane, pasi anglishtja e tij nuk ishte shumë e mirë.
“Nuk ishte shumë llafazan. Në fakt ishte e vështirë të komunikohej me të, pasi ai nuk ka folur anglisht shumë mirë dhe është shprehur vetëm në frëngjisht apo italisht. Por mënyra se si merrte topin, si hidhte atë në ajër dhe si luajti gjithmonë… E mbaj mend që një ditë erdhi në stërvitje me Fiat, ndërsa kishte veshur xhinse. Ishte plotësisht ndryshe nga ajo që shihje te pjesa tjetër që vinin me Ferrari dhe mbanin veshur rrobe të ‘Dolce & Gabbana’ apo ‘Versace’”, ka thënë portieri holandez.
Zidane ka pasur karrierë impresive si futbollist. Karrierë të tillë tani po ka edhe si trajner.