Zinedine Zidane është kandidati numër një për ta zëvendësuar Didier Deschampsin si përzgjedhës i Francës, ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Francës, Noel Le Graet.
Zidane i cili ka luajtur 108 ndeshje për Francën në karrierën e tij 12-vjeçare, ka edhe një vit tjetër kontratë te Real Madridi. Megjithatë, ka presion të madh dhe mund të mos e përfundojë deri në fund kontratën pasi mund të shkarkohet më herët.
Kontrata e Deschampsit me “Les Bleus” do të përfundojë pas Kupës së Botës 2022 në Katar. Nëse ai vendos që të largohet nga ky post, do të jetë ish-bashkëlojtari i tij që do ta marrë thirrjen nga Le Graet.
“Kemi marrëdhënie të mira me Zidanen, personalisht të paktën”, ka thënë ai në një intervistë dhënë për “RTL”.
“Nëse Didier do të ndalej, e nëse unë do të isha ende atje, personi i parë që do ta shihja do të ishte Zidane”, ka thënë Le Graet.
Nëse Zidane do të bëhej selektor i Francës, edhe Benzema do të mund të kthehej në përfaqësuesen franceze.