Urgjenca e re e QSUT-së u përfshi nga flakët mëngjesin e kësaj të diele (11 shkurt). Policia bën me dije se ngjarja u regjistrua rreth orës 05:30 në katin -1 të urgjencës, por fatmirësisht zjarri u vu nën kontroll shpejt nga zjarrfikësit.
Flakët tashmë janë shuar, ndërsa nuk ka patur persona të lënduar. Për arsye sigurie, stafi dhe pacientët u evakuuan.
Paraprakisht shkak i zjarrit dyshohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike.
“Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re.
Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar”, njofton policia.