Dy persona kanë vdekur dhe gjashtë zona janë vendosur në gjendje të lartë gatishmërie për shkak të përhapjes së pakontrollueshme të zjarreve në pjesë të ndryshme të Greqisë.
Re të mëdha tymi janë përhapur në periferitë veriore të Athinës, ku njerëzve u është bërë thirrje që të largohen nga shtëpitë, shkruan BBC.
Një zjarrfikës vullnetar 38-vjeçar vdiq, pasi ra nga një shtyllë elektrike në periferi të kryeqytetit.
Kryeministri grek ka thënë se vala e vapës e ka shndërruar vendin në fuçi baroti. Zjarrfikësit po luftojnë me flakët në 154 vatra zjarri në pjesë të ndryshme të vendit.Reklamë
Të përkeqësuara nga erërat e paparashikueshme, zjarret më të mëdha po përhapen në veri të Athinës. Zjarre ka edhe në ishullin Evia dhe në zonat afër Olimpit të lashtë, ku kanë nisur për herë të parë lojërat olimpike.
“Kemi zjarre me intensitet dhe përhapje të pashembullt. Të gjitha forcat tona janë duke luftuar në betejë ditë e natë për të shpëtuar jetë, bashkë me vullnetarët”, tha zëvendësministri grek i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias.
Mijëra njerëz janë urdhëruar që të largohen nga shtëpitë e tyre afër Athinës, pasi zjarret shkatërruan shtëpi, vetura e biznese.
Zjarrfikësi që vdiq ishte në mesin e dy viktimave të para të zjarreve. Tjetra viktimë ishte kryetari i Odës Tregtare të Athinës, Konstantinos Michalos. Ai u gjet pa vetëdije në një fabrikë afër vendit ku po përhapej një zjarr.