Dy britanikë akuzohen se kanë ndihmuar inteligjencën ruse pas një zjarri, që dyshohet se iu vu qëllimisht një biznesi të lidhur me Ukrainën.
Dylan Earl, 20 vjeç, nga Elmesthorpe në Leicestershire dhe Jake Reeves, 22 vjeç, nga Croydon, u hetuan pas zjarri që përfshiu një magazinë në lindje të Londrës në mars.
Kur Earl u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit javën e kaluar, iu komunikua akuza për zjarrvënie. Ndërsa Reeves u akuzua për moszbulimin e informacionit në polici rreth akteve terroriste.
Sipas Aktit të ri të Sigurisë Kombëtare 2023, tre persona të tjerë po hetohen për zjarrin. Ndaj tyre rëndon vepra penale e zjarrvënies, por nuk dyshohen për ndonjë shkelje të sigurisë kombëtare.
Nii Mensah, 21 vjeç, nga Thornton Heath në Londrën Jugore dhe Paul English, 60 vjeç, nga Roehampton në Londrën Jugperëndimore, u paraqitën në gjykatë të hënën.
Zjarri shpërtheu në një pronë industriale në rrugën Staffa në Leyton. Sipas hetimeve, në godinë ishte hedhur benzinë, që përshpejtoi përhapjen e flakëve. Tetë zjarrfikëse dhe 60 zjarrfikës u desh të ndërhynin për të shuar flakët.
Të dhënat e Companies House tregojnë se magazinat shërbenin për dorëzimin e porosive të Oddisey dhe Meest UK, të cilat janë në pronësi të Mykhaylo Prykhodko, i njohur gjithashtu si Mikhail Boikov, dhe gruas së tij Jelena Boikova, që të dy jetojnë në Londër, raporton BBC.
Sipas Nick Price, kreut të Divizionit Special të Krimeve dhe Kundër Terrorizmit, Earl ” është angazhuar në shënjestrimin e bizneseve të lidhura me Ukrainën në mënyrë që të përfitonte shteti rus”.
Earl dhe Reeves janë personat e parë që akuzohen sipas një ligji të ri të krijuar për të përditësuar dhe modernizuar veprat penale të spiunazhit, sabotimit dhe ndërhyrjes së huaj. Qeveria krijoi ligjin me synimin për të forcuar mbrojtjen e Mbretërisë së Bashkuar kundër aktivitetit armiqësor nga shtetet “që synojnë demokracinë, ekonominë dhe vlerat e Mbretërisë së Bashkuar”.