Britania tha të martën se Franca e ka liruar barkën britanike që e konfiskoi javën e kaluar në ujërat franceze. Autoritetet britanike gjithashtu e mirëpritën vendimin e Presidentit Emmanuel Macron të Francës për shtyrjen e sanksioneve ndaj Mbretërisë së Bashkuar për mosmarrëveshjen e peshkimit.
Mospajtimet për të drejtat e peshkimit pas Brexit-it e arritën kulmin të mërkurën e kaluar, kur Franca sekuestroi një barkë britanike dhe gjobiti një tjetër afër portit të Le Havre-s. Britania e dënoi këtë veprim.
I pyetur nëse barka e konfiskuar nga Franca është liruar, sekretari britanik i Mjedisit, George Eustice, tha: “Po. Unë marr vesh se barka tashmë është liruar”, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të hënën se do t’i shtyjë sanksionet tregtare ndaj Britanisë në mënyrë që negociatorët e të dyja palëve të mund të punojnë rreth propozimeve të reja për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
Javën e kaluar, ministrat francezë përdorën gjuhë të ashpër e kërcënime kundër Britanisë. Një ministër madje tha se vendi i tij ka nevojë që të përdorë gjuhën e forcës, sepse, sipas tij, duket se kjo është gjuha e vetme që e kuptojnë britanikët.
Franca disa ditë më parë kërcënoi se do t’ua ndalojë barkave britanike qasjen në porte shkaku i mosmarrëveshjes për lëshimin e lejeve të peshkimit për peshkatarët francezë nga Mbretëria e Bashkuar.
Mosmarrëveshja mes dy fuqive evropiane për të drejtat e peshkimit shpërtheu muajin e kaluar, pasi Britania dhe Ishulli Jersey nuk lëshuan leje për dhjetëra barka franceze që të operojnë në ujërat afër bregdetit.
Përfaqësues të Komisionit Evropian, Francës dhe Britanisë së Madhe Ishujve të Kanalit i filluan bisedimet të hënën në përpjekje për të gjetur zgjidhje.