Thirrja në SPAK e dy figurave kryesore të opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, dosjet hetimore ndaj tyre, por edhe aksioni opozitar, u trajtuan në emisionin e së premtes “3D” të Alban Dudushit në RTSH 1. Të ftuar në studio ishin avokati Genc Gjokutaj, juristja Brizida Gjikondi, analistët Preç Zogaj dhe Arion Sulo.
Një deklaratë e ish kryeministrit Berisha se edhe ndaj ish presidentit Meta po ndërmerret “gjueti shtrigash”, ka hedhur dyshime se ndaj edhe ndaj këtij të fundit SPAK po ngre një proces.
Por avokati Genc Gjokutaj në komentin e tij tha se “zoti Meta nuk mund të mbrohet nga zoti Berisha” për vetë të kaluarën e tyre dhe situatës aktuale.
Për analistin Preç Zogaj deklara e zotit Berisha është më shumë një qëndrim ndaj SPAK me të cilin është në luftë.
“Ata janë aleate dhe për shumë kohë do të ketë deklarata solidariteti” tha zoti Zogaj për marrëdhëniet Berisha – Meta.
Por megjithatë mbetet të shihet se si do të eci hetimi ndaj ish presidentit Meta.
“Tashmë gjithçka ka hyrë në territorin e drejtësisë, kjo është diçka e re”, tha analisti Zogaj.
“Berisha nuk ka ndonjë thyerje. E ka shpallur qëndrimin e tij ndaj SPAK-ut se është vegël e Ramës. S’ka ndonjë të re. Berisha është në luftë me SPAK. Dikush kërkon që Berisha të mendohet. Ai nuk mendohet. Do ketë deklarata reciprociteti të përbashkëta mes Berishës dhe Metës”, tha Zogaj.