Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 15 vjet burgim Zoran Vukotiçin, për krime lufte në Kosovë.
Aktgjykimi dënues u shpall ndaj Vukotiçit, pasi gjykata e gjeti fajtor për vrasjen e 13-vjeçarit B.M, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës të ngritur në qershor të vitit 2023, Vukotiq akuzohej se më 18 prill të vitit 1999, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë, në bashkëkryerje me persona të paidentifikuar, si rezervist i policisë serbe, ai kishte vepruar në kundërshtim me normat e të drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë konfliktit në Kosovë.
Në aktakuzë thuhej se ai në bashkëkryerje ka vrarë 13-vjeçarin B.M të kombësisë shqiptare.
Viktima, së bashku me djalin e xhaxhait të tij kishin qenë duke ngarë një biçikletë, kur Vukotiq së bashku me policë të tjerë të armatosur i kishin hasur fëmijët. I pandehuri, sipas aktakuzës, nga largësia prej 30 metrash kishte gjuajtur me armë zjarri drejt fëmijëve, duke qëlluar në gjoks viktimën B.M, i cili kishte vdekur menjëherë. Fëmija tjetër kishte arritur t’u shpëtojë të shtënave dhe ishte fshehur pas një muri.
Prokuroria Speciale e kishte ngritur katër aktakuza për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë viteve 1998-1999 ndaj Vukotiçit, por me propozimin e avokatit të tij, ato u bashkuan në një çështje më 2024.
Për pikat e tjera të aktakuzës, pas bashkimit të çështjes, Gjykata tha se nuk ka gjetur prova ndaj Vukotiqit dhe ai është liruar nga ato akuza.
Ndaj ish-rezervistit të policisë serbe, Zoran Vukotiç, më herët është shqiptuar edhe një aktgjykim dënues. Ai më 2021 ishte dënuar me dhjetë vjet burgim për veprën penale të dhunës seksuale gjatë luftës. Ky rast ishte kthyer në rigjykim, por më 2022 ishte rikonfirmuar ndaj tij. Më pas më 2023, Apeli ia rriti dënimin në 13 vjet burgim.
Në këtë aktakuzë thuhej se Vukotiçi si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”.
Ky ishte rasti i parë i dënuar për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës./ REL