Zvicra do të shpenzojë 329 milionë dollarë për ta mbështetur Gjenevën si qendër e diplomacisë ndërkombëtare, tha qeveria të premten, në kohën e shtimit të presionit financiar ndaj institucioneve globale të goditura nga zvogëlimi i shpenzimeve dhe pakësimi i donacioneve.
Ky fond, i cili do ta mbulojë periudhën nga viti 2026 deri më 2029, vjen në kohën kur organizatat ndërkombëtare që i kanë bazat në Gjenevë po ballafaqohen me konkurrencë të shtuar nga qytetet e tjera që të jenë nikoqire të tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zvicra tha se do t’i ndajë këto fonde për t’i ripohuar “rolin qendror të Gjenevës ndërkombëtare në politikën e jashtme zvicerane dhe rolin e saj unik në qeverisjen globale”.
Gjeneva është qendër e diplomacisë globale dhe në të ndodhen më shumë se 40 organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatën Botërore të Tregtisë.
Muajve të fundit, zvogëlimi i kontributeve ose pezullimi i pagesave nga disa shtete anëtare kanë çuar në vështirësi serioze financiare në organizatat ndërkombëtare.
Shumë institucione me bazë në Gjenevë janë detyruar që t’i zvogëlojnë në masë drastike buxhetet dhe stafin e tyre ose madje edhe ta shqyrtojnë zhvendosjen në shtete të tjera, tha qeveria zvicerane.