Një grup ekspertësh i kërkojnë Zvicrës të përgatitet për dështimin e një banke të madhe. Raporti i tyre drejtuar qeverisë vjen në një moment kur Credit Suisse sapo ka shmangur rrezikun e kolapsit.
UBS Group (UBSG.S) u bë banka e vetme më e madhe e Zvicrës në fillim të këtij viti pasi qeveria organizoi me nxitim dhe financoi pjesërisht kalimin nën kontrollin e saj të Credit Suisse, për të shmangur falimentin e saj.
Dikur simbol i fuqisë financiare zvicerane, Credit Suisse u fut në krizë në fillim të këtij viti duke shkaktuar shqetësim te zyrtarët dhe rregullatorët.
Me raportin e fundit, të cilit i referohet Reuters, një grup ekspertësh zviceranë, mes të cilëve bankierë dhe akademikë, i kërkuan qeverisë të jetë në gatishmëri nëse UBS, e cila tani është shumë më e madhe, haset me probleme.
Raporti ka një sërë udhëzimesh, përmes të cilave ekspertët kërkojnë fuqizimin e rolit të rregullatorit FINMA.
Kalimi i Credit Suisse nën kontrollin e UBS përbën shpëtimin e parë të një banke globale që nga kriza financiare e 2008-s. Ky hap i jep ndikim të madh UBS, duke e çliruar atë nga rivali i saj kryesor.
Kjo pritet të ndryshojë peizazhin e bankingut në Zvicër, ku degët e Credit Suisse dhe UBS janë të vendosura kudo, ndonjëherë vetëm disa metra larg njëra-tjetrës.
Bankat, dy nga sistemet më të rëndësishme në financat globale, mbajnë aktive që shkojnë deri në 140% të prodhimit të brendshëm bruto zviceran në një vend shumë të varur nga financat për ekonominë e tij.
Gjatë krizës globale financiare të vitit 2008, ishte UBS, jo Credit Suisse, ajo që pati nevojë për një hua nga shteti.
Në atë kohë, banka qendrore zvicerane i dha asaj më shumë se 54 miliardë dollarë, një fond të cilin banka e përdori për të shlyer borxhin.