Një tjetër shtet i thotë “jo” rifillimit të sezonit, duke mbyllur gjithçka. Ligue 1 dhe 2 nuk do të rifillojnë për të mbyllur sezonin në fushën e lojës. Futbolli në Francë për sezonin futbollistik 2019-2020 ka përfunduar dhe në ditët në vijim pritet të kemi detajet e plota të këtij vendimi.
Qeveria franceze ka vendosur të mos lejojë asnjë aktivitet që grumbullon një numër të madh njerëzish, përfshirë këtu sigurisht edhe futbollin. Këtë lajm e dha vetë kryeministri francez, Eduard Filip, i cili u shpreh: “Ngjarjet e mëdha sportive dhe kulturore, të cilat mbledhin më shumë se 5 mijë spektatorë dhe që duhet të organizohen, paraprakisht nuk mund të zhvillohen deri në shtator. Sezoni i futbollit 2019-2020 nuk mund të rifillojë”.
Në ditët në vijim pritet të zhvillohet një mbledhje me përfaqësues të Federatës së Futbollit dhe presidentëve të klubeve për të caktuar konkluzionet e sezonit, pra skuadrat që shkojnë në Europë dhe ata që bien një kategori më poshtë. Ndërsa UEFA ngre zërin për mbyllje të futbollit në fushën e lojës, Franca është vendi i tretë në Europë, që ndërpret futbollin, pas Belgjikës dhe Holandës.
Ky vendim nuk pritet të ketë një reagim nga ana e UEFA-s, pasi më parë qeveria e futbollit pati parashikuar se Federatat do të lejohen të mbyllin sezonet vetëm në rast të një vendimi të prerë të marrë nga qeveritë përkatëse. Kështu, një nga pesë ligat kryesore të Europës mbyll sezonin jashtë fushe dhe kompromenton gjithë situatën dhe planet e deritanishme.