Josko Gvardiol është zyrtarisht futbollisti më i ri i Manchester Cityt.
Qendërmbrojtësi kroat ka kompletuar transferimin te kampioni në fuqi i Evropës nga RB Leipzig.
21-vjeçari u bë mbrojtësi më i shtrenjtë në histori, pasi kampionët e Anglisë dhe Evropës paguan plot 90 milionë euro për të marrë kartonin e tij nga gjermanët e RB Leipzig.
Ndërkohë, Gvardiol, i cili ishte një nga futbollistët e kërkuar me ngulm nga trajneri Pep Guardiola, ka nënshkruar kontratë pesë vjeçare me Manchester Cityn dhe do të vihet menjëherë në dispozicion të teknikut katalanas.
Mbrojtësi i talentuar kroat u prezantua me një video mjaft interesante, ku ‘citizens’ shfrytëzuan edhe ngjashmërinë e mbiemrave Gvardiol dhe Guardiola, teksa është pikërisht trajneri katalunas ai që modifikon mbiemrin e tij për të zbuluar blerjen e re të klubit.
Reprezentuesi kroat kësisoj bëhet mbrojtësi më i shtrenjtë në histori të futbollit duke lënë mbrapa emrat e Harry Maguire e Matthijs de Ligt.
Me transferimin në Etihad stadium është shprehur shumë i lumtur Gvardiolm
“Kush e ka ndjekur Manchester Cityn sezonin e kaluar, është bindur që kjo është skuadra më e mirë në botë, ndaj ndihem i nderuar që jam pjesë e këtij ekipi. Kam ëndërruar gjithmonë të luaj në Angli”, tha Gvardiol.