Një tjetër futbollist shqiptar i bashkohet kampionatit skocez.
Hearts of Midlothian FC, një nga klubet më të njohura të elitës së Skocisë, ka zyrtarizuar afrimin e Sabah Kerjotës, një talent shqiptar me perspektivë të lartë.
Në një njoftim në faqen zyrtare, klubi skocez konfirmon se Kerjota ka firmosur një kontratë 3-vjeçare, duke u transferuar nga skuadra italiane e Serie C, US Sambenedettese, për një shumë të padeklaruar.
“Me 71 kontribute në gola gjatë tre sezoneve të fundit, ai është gati të ndezë atmosferën në Gorgie,” – shkruhet në deklaratën e Hearts.
Anësori 22-vjeçar ka spikatur me paraqitjet e tij në Itali, duke u bërë një emër premtues në futbollin shqiptar.
Performancat e tij të qëndrueshme, sidomos në fazën ofensive, kanë tërhequr vëmendjen e skautëve britanikë dhe tashmë Kerjota do të ketë mundësinë të tregojë vlerat në një kampionat më konkurrues.
Sabah Kerjota pritet të bashkohet menjëherë me skuadrën në fazën përgatitore, ndërsa Hearts synon të jetë pretendent për pjesëmarrje në kompeticionet evropiane.