Türkiye dhe jo Turkey. Nga sot e tutje ky do të jetë emri zyrtar i Turqisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. OKB pranoi kërkesën zyrtare të Ankarasë për të ndryshuar emrin. Edhe institucioneve të tjera ndërkombëtare do t’i kërkohet të bëjnë të njëjtën gjë, si pjesë e një fushate riemërtimi të nisur nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vitin e kaluar.
“Türkiye është përfaqësimi më i mirë dhe shprehje e kulturës, civilizimit dhe vlerave të popullit turk”, tha Recep Tayyip Erdogan
Türkiye është emri që përdorin për vendin e tyre shumica e turqve, por edhe versioni i ndërkombëtarizuar Turkey përdoret gjerësisht, madje edhe brenda vendit. Televizioni shtetëror TRT nxitoi të bënte ndryshimin sapo ai u njoftua vitin e kaluar, duke shpjeguar se një prej arsyeve për vendimin ishte lidhja e emrit me gjelin e detit, që lidhet me Festën e Falënderimeve, Krishtlindjet dhe Vitin e RI.
Në shpjegimin e saj media iu referua gjithashtu fjalorit anglisht të Kembrixhit, kur fjala nënkuptonte edhe diçka që dështon keq, ose një person budalla. Si pjese e fushatës së riemërtimit, “Made in Turkiye” do të përfshihet në të gjitha produktet e eksportit, ndërsa në janar u lançua një promo me frazën “Hello Türkiye”.
Lëvizja ka nxitur reagime të ndryshme online. Ndërsa zyrtarët qeveritarë e mbështesin, të tjerë thonë se është një shpërqëndrim jo efikas, teksa presidenti bëhet gati për zgjedhjet e vitit të ardhshëm në mesin e një krize ekonomike.