Polici kufitar, Aziz Kryeziu, i cili u suspendua për 72 orë nga puna për shkak të një komenti ofendues që bëri në rrjetin social Facebook ndaj preshevarëve, është babai i ish-zëdhënësit të Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziut.
Ish-zëdhënësi, Përparim Kryeziu ka thënë se nuk ka informacion se për çfarë suspendimi bëhet fjalë.
“Nuk e di saktë se çfarë ka ndodh se nuk e kam informacionin e plotë, nuk më ka ra me bisedu me t’shpisë për shkak se nuk kam qenë në Gjilan, por, më lejo të informohem ta kam të qartë se çfarë po ndodh…Të thirri prap kur ta kam informacionin e plotë sepse nuk e di për çfarë lloj suspendimi po flitet”, tha Kryeziu për Gazetën Sinjali.
I pyetur më pas përmes SMS-it, Kryeziu ka këmbëngulur se nuk e ka të qartë se ‘për çfarë po bëhet fjalë”.
Ndryshe, babai i Kryeziut u suspendua për shkak të ofendimit që u bëri preshevarëve në një koment në Facebook, përmes së cilit i quajti mashtrues e të pangopur.