Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka vizituar sot lokacionin në të cilin është paraparë të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit në Kosovë, me ç’rast ka thënë se ky muze do të ketë rol përkujtimor dhe edukativ për brezat e ardhshëm.
Veseli ka thënë se Serbia ka kryer gjenocid mbi popullin e Kosovës dhe duhet të përgjigjet për këtë, pasi sipas tij nuk ka pajtim pa pasur dënim të krimit.
Ai ka potencuar se nuk do të lejojnë që të humbet gjaku i atyre ndaj të cilëve është kryer gjenocidi.
Muzeu i Gjenocidit është propozuar që të ndërtohet në vendin që njihet si ish-tjegullorja në kryeqytet, në një hapësirë prej 9 m.75 hektarësh e cila aktualisht menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Gurthemeli për Muzeun e Gjenocidit sipas kreut të Kuvendit do të bëhet në vitin 2020.
Ai ka treguar pesë arsyet se pse duhet të bëhet Muzeu i Gjenocidit, ndër të cilat është roli proaktiv në gjetjen dhe përgatitjen e aktakuzave për kriminelët e luftës.
Kreu i Kuvendit tha se modeli i muzeut do të jetë ai i Holokaustit “Yad Vashem” në Jerusalem apo Simon Wiesenthal Center.