Ministri i Jashtëm në detyrë i
Shqipërisë, Gent Cakaj, ka përshëndetur fitoren e shqiptarëve në zgjedhjet
lokale të së dielës në Tuz të Malit të Zi.
Përmes një postimi në Twitter, Cakaj thotë se Tuzi na dha një mësim të vlefshëm se përtej logove, bindjeve politike apo protagonizmit, vetëm të bashkuar mund t’i shërbejmë interesave të shqiptarëve.
“Urimet më të përzemërta koalicionit “Forumi shqiptar” për rezultatin historik” shkruan Cakaj.
Koalicioni i tri partive politike shqiptare, fitoi 16 vende në Kuvendin lokal të Tuzit, i cili numëron 32 vende, ndërkaq pasojnë Partia Demokratike Socialiste e presidentit malazez, Milo Gjukanoviç me 10 vende, Partia Boshnjake me 4 vende dhe nga 1 vend Partia social Demokrate dhe Demokratët.
Ky rezultat paraprak e detyron koalicionin e partive politike shqiptare që të bashkëqeverisë me ndonjë parti të spektrit politik malazez ose boshnjak.
Vëzhguesit i vlerësuan zgjedhjet e së dielës në Tuz të Malësisë të qeta, pa incidente dhe demokratike.
Zgjedhjet vendore për komunën e Tuzit, që u ndoqën nga afër edhe nga anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, me përfaqësues të diasporës shqiptare nga Shtetet e Bashkuara, u konsideruan si shumë të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve që janë komunitet shumicë në Malësi.