Ministri i Arsimit, Shkencës dhe
Teknologjisë së Kosovës, Shyqiri Bytyqi priti në takim ministren e Arsimit,
Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë, Besa Shahini, ku temë diskutimi ka qenë
thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë për
sistemin arsimor universitar dhe para universitar.
Ministri Bytyqi ka thënë se ministrja Shahini ka propozuar dy projekte që kanë të bëjnë me shkëmbimin e nxënësve dhe shfrytëzimi i bibliotekës elektronike të Shqipërisë edhe nga studentët kosovarë.
Ministrja Shahini deklaroi se në kuadër të përgjigjeve që Qeveria e Shqipërisë i ka dhënë protestës së studentëve në Tiranë, është edhe biblioteka elektronike që studentët e kanë kërkuar si një mundësi tjetër për ta përmirësuar kërkimin shkencor në universitetet publike të Republikës së Shqipërisë.
Shahini tha se biblioteka elektronike është në dispozicion për 110 mijë studentë të Shqipërisë, por që është propozuar të jetë e njëjta pako edhe për studentët kosovarë.
Ajo shpreson që ky projekt do të realizohet deri në pranverë. Ndryshe, biblioteka elektronike është një platformë e cila ka miliona artikuj shkencor, diku 170 mijë libra që mund të përdoren për fusha të ndryshme të studimeve, si dhe pako përmes së cilave mësohet gjuha e huaj.