“Numri i të infektuarve me virusin korona në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 26, por ministri i shëndetësisë nuk e përjashton mundësinë që shifrat të shkojnë deri në 2 mijë, edhe pse prapon se është e vështirë të parashikohet një numër i saktë i të prekurve.
Këtë që do e them merreni me rezervë sepse janë supozime ose të themi vlerësime e matematika. Është e mundur që numri i të sëmurëve me virusin korona në vendin tonë të arrijë deri në 2 mijë, dhe atë për një muaj duke llogaritur prej tani”, tha Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.
Gjatë testimeve të sotme, pozitiv kanë rezultuar 3 pacientët që dje u testuan në klinikën “Zhan Mitrev” për të cilët Instituti Shëndetit Publik bëri kontrolle të serishme që rezultuan pozitive. Ndërkohë, gjendja e gjithë pacientëve të infektuar mbetet stabile, duke përfshirë edhe pacienten e parë nga Dibra.
“Bëhet fjalë për pacientë nga Shkupi. Pacienti i parë kishte simptoma një javë radhazi, kontaktet janë lokalizuar dhe tashmë po punohen testet e anëtarëve të familjes së tij. Të tjerët pozitiv janë një çift bashkëshortor që ka qëndruar jashtë vendit dhe para disa ditësh është kthyer në vend. Pacienti i parë është shtrirë në Klinikën Infektive ndërsa dy të tjerët vazhdojnë të mbeten në kurim shtëpiak dhe gjatë ditës pritet të transferohen në klinikën infektive”, u shpreh Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Ministri Filipçe edhe një herë u dërgoi porosi qytetarëve. Mos të qëndrohet gjatë në markete, fëmijët dhe të sëmurët kronikë të qëndrojnë në shtëpi, të mbahet higjienë personale. Filipç tha se prej nesër do të shtohet numri i autobusëve në qarkullim pas ankesave të shumta nga banorët se reduktimi i numrit të autobusëve ka shkaktuar rrëmujë nëpër autobusët urban. Kreu i shëndetësisë gjithashtu kërkoi që në rastet e vdekjes të shmangen ritualet për ngushëllime në familje. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë edhe të masave ndëshkimore në rast se nuk respektohen këto masa./Alsat/