46% e rasteve të reja me koronavirus dhe një në katër viktima në botë janë regjistruar në Indi, sipas një njoftimi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Rritja e shpejtë e rasteve në Indi, përfshirë transmetueshmërinë e lartë të variantit indian, ka rezultuar që spitalet të mos kenë më shtretër dhe oksigjen dhe morgjet të mos kenë më vende për të vdekurit.
Shumë njerëz kanë vdekur në ambulanca dhe parkingje duke pritur që të lirohet një shtrat në spital ose të kenë oksigjen. Javën e kaluar, 5.7 milion raste të reja me koronavirus u raportuan në të gjithë botën dhe më shumë se 93,000 viktima, tha OBSH në raportin e tij javor.
India raportoi gati 2.6 milion raste të reja – një rritje prej 20% gjatë javës së kaluar dhe 23,231 viktima. Shifrat bazohen në të dhënat zyrtare dhe për këtë arsye përqindja në Indi ka të ngjarë të jetë edhe më e lartë, pasi sipas ekspertëve, një numër i madh i rasteve dhe viktimave nuk regjistrohen në vend pasi sistemi është i mbingarkuar.
India përbën rreth 18% të popullsisë së botës. Ka të dhëna se një valë e re e pandemisë po përhapet nga India në vendet fqinje. Nepal ka shënuar një rritje 137% në rastet e reja me koronavirus gjatë javës së kaluar, e cila arriti në 31 088, ndërsa edhe Sri Lanka ka regjistruar rritje të rasteve, sipas OBSH.
India është vendi i dytë që ka regjistruar 20 milion të infektuar – pas Shteteve të Bashkuara. Numri i të viktimave në Indi është rritur me 3,780 në 24 orët e fundit ndërsa vendi ka regjistruar 382,315 raste, sipas shifrave nga ministria e shëndetësisë së vendit.