Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar që Eric Wendt të jetë ambasadori amerikan në Shqipëri.
Në një njoftim për shtyp nga faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, lidhur me nominimet dhe tërheqjet e deleguara në Senat, sqarohet pozicioni i menduar për Wendt.
“Eric Wendt, nga Kalifornia, të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë“, shkruhet në njoftimin për media nga Shtëpia e Bardhë.
Kush është Eric Wendt
Ai është një nga figurat e spikatura të ushtrisë amerikane, me një karrierë mbi tre dekada në shërbim aktiv. Ai përfundoi detyrën e tij të fundit si komandanti i pestë i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s, nga i cili u largua më 29 janar 2021.
Gjatë karrierës së tij si oficer i lartë, Wendt mbajti një sërë pozicionesh kyçe në strukturat ushtarake dhe të sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Ai shërbeu si Koordinator i Sigurisë i SHBA-ve për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez në periudhën nëntor 2017 – tetor 2019.
Më herët, ai ishte shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA-ve, komandant i Qendrës dhe Shkollës së Luftës Speciale “John F. Kennedy”, si dhe komandant i Operacioneve Speciale në Kore. Gjithashtu, ai ka mbajtur detyrën e zëvendëskomandantit në Komandën Rajonale Veri të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan.
Wendt u emërua oficer në ushtrinë amerikane në vitin 1986 përmes programit ROTC në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara, ku u diplomua në drejtësi dhe shoqëri. Ai vijoi studimet pasuniversitare në Shkollën Pasuniversitare Detare, duke marrë një diplomë master në çështjet e sigurisë kombëtare.
Ai doli në pension më 1 mars 2021, pas më shumë se 34 vitesh shërbimi.
Në shtator 2020, Trump e propozoi për ambasador të SHBA-ve në Katar, por kandidatura e tij nuk u shqyrtua nga Senati përpara përfundimit të mandatit të Kongresit, duke mbetur pa vendim përfundimtar.

