Irani dhe Rusia kanë filluar ushtrimet e përbashkëta të forcave detare në pjesën veriore të Oqeanit Indian, duke thënë se ky veprim ka për qëllim që ta fuqizojë sigurinë e tregtisë përmes detit në rajon.
Televizioni shtetëror raportoi të martën se këto ushtrime do të mbulojnë një sipërfaqe prej 17.000 kilometrash katrorë dhe në to do të marrin pjesë njësi nga Forcat Detare, Rojet Revolucionare dhe Forcat Detare të Rusisë.
Admirali iranian, Gholamreza Tahani, tha se qëllimet e ushtrimeve të përbashkëta janë fuqizimi i sigurisë së tregtisë ndërkombëtare në det, luftimi i piratërisë dhe terrorizmit detar si dhe shkëmbimi i informatave.”
Tahani bëri të ditur se në këto ushtrime do të marrin pjesë edhe forcat detare të Indisë, si mesazh për paqen dhe miqësinë për vendet fqinje dhe vendet rajonale, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
Kjo është hera e dytë që Irani dhe Rusia kryejnë ushtrime të përbashkëta detare nga fundi i vitit 2019, kur këto dy vende dhe Kina zhvilluan ushtrime në Oqeanin Indian dhe në Gjirin e Omanit.
Këto ushtrime duket si mesazh i tërthortë për Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë dërguar bombardues në Gjirin Persik në javët e kaluara.