Ministri i Diasporës në Qeverinë e Shqipërisë, Pandeli Majko, ka deklaruar se çështja e referendumit për bashkim kombëtar Kosovë – Shqipëri, është temë që duhet mbyllur dhe se për Lëvizjen Vetëvendosje prioritet duhet të jetë drejtimi i Kosovës.
Hapja e temës së bashkimit kombëtar në kohë fushate në zgjedhjet e shkurtit në Kosovë, sipas Majkos, shkaktojnë probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës.
“Unë mendoj se z. Kurti ka vetëm një prioritet, të drejtojë si shtetar dhe kryeministër shtetin e Kosovës, nuk besoj se i bëjnë punë histori të natyrave të tilla. Nuk ka pse krijon lidhje të natyrave të çuditshme me ide që kanë ekzistuar në shekullin e kaluar, e kam fjalën në vitet ’80 dhe ’90 për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, jo se unë nga pikëpamja emocionale ndihem ndryshe nga z. Kurti, por unë mendoj se diskutime të natyrave të tilla, do të krijonin probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës. E kam fjalën për akte që garantojnë prezencën e NATO-s në Kosovë dhe paketën Ahtisari”, ka thënë për “Euronews Albania” ish-kryeministri i Shqipërisë, duke iu referuar qëndrimit të Kurtit i cili një ditë më herët për “Zërin e Amerikës” u shpreh se “nuk ia mbyll derën në të ardhmen intencës historike të kombit në njërën anë dhe as popullit si vullnet gjithnjë përbrenda kornizave paqësore e demokratike”.
Majko tutje i ka bërë thirrje Kurtit, që si fitues i zgjedhjeve, të fokusohet te forcimi i shtetit të Kosovës.
“Një kryeministër nuk mund të aludojë për statuse të ndryshme për shtetin që ai do të drejtojë sepse Kosova është duke u njohur nga shtete të tjera. Nëse ata do të mendojnë se Kosova është duke bërë një jetë të dyfishtë kjo do nxiste shtetet e tjera, të ishin më të rezervuara për njohjen e Kosovës. Histori të tilla duhen mbyllur, Vetëvendosja dhe lideri i saj duhet të mendojnë vetëm për një prioritet dhe ky është për drejtimin e shtetit të Kosovës”, ka shtuar Majko.