Mbajtja haptazi e armëve në kampusin e Capitolit dhe në ose afër demonstratave që ndodhin në Washington do të ndalohet me një projektligj të aprovuar nga Senati i shtetit.
Projektligji kaloi me 28 vota dhe tani shkon për shqyrtim në Dhomën e Përfaqësuesve.
Përveç ndalimit të armëve që mbahen haptazi në Capitol ose rreth Capitolit, projektligji do të ndalojë njerëzit që mbajnë armë me vete ose në automjetin e tyre ndërsa marrin pjesë në një demonstratë në vend publik ose nëse janë brenda 250 metrave nga demonstrata e lejuar. Përjashtim nga projektligji bëjnë njerëzit që mbajnë armë zjarri në pronat private të tyre brenda asaj zone.
Senatorja demokrate Patty Kuderer tha se mbajtja e armëve në një ambient ku mund të ketë organizime të tilla “përfaqëson rrezik serioz për shëndetin publik dhe sigurinë”.
“Çfarë ju duhet kur vini në Capitol është zëri juaj. Nuk ju duhet arma”, tha ajo.
Shkelja e kësaj do të jetë e dënueshme me një vit burg ose gjobë deri në 5,000 dollarë, ose të dyja, shkruan AP.
Debati në Senat lidhur me këtë projektligj zgjati për më shumë se një orë.
Në një fjalim emocional, Senatori Steve Hobbs, tregoi arsyet pse votoi pro këtij projektligji. Ai përmendi shërbimin e tij në Kosovë kur arsyetoi votën e tij.
“Kur isha në Kosovë duke u përballur me një turmë të zemëruar serbe, ne gati qëlluam mbi ata njerëz”, tha Hobbs i cili është edhe kolonel në Gardën Kombëtare Ushtarake të Washingtonit që shërbeu në Irak dhe në Kosovë.
“Sepse është e frikshme… por ne ishim të disiplinuar. Sepse unë garantoj se nëse nuk jeni të disiplinuar mjaftueshëm dhe ju gjuajnë me gurë ndërsa ju keni një armë, ju do ta përdorni atë armë”, tha Hobbs.