VMRO-DPMNE-ja do të ngre padi penale kundër kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferit dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare, Martin Kostovskit, por edhe ndaj të gjithë atyre për të cilët do të konfirmojnë se kanë përgjegjësi për shkeljen e ligjit.
Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, në konferencë për shtyp tha se publikimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e Ivanovit, është akt joligjor dhe tentim i dhunshëm për vendime të cilat sipas tij, lënë pasoja të mëdha në shtet.
“VMRO-DPMNE-ja do të dorëzojë padi penale kundër Talat Xhaferit dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare, por edhe kundër gjithë atyre për të cilët do të konfirmohet përgjegjësia se kanë shkelur ligjin, në lidhje me publikimin e ligjit për dygjuhësi pa nënshkrimin e presidentit të shtetit”, thotë Janushev duke shtuar se në mënyrë shtesë do të parashtrojnë iniciativë për hetimin e kushtetueshmërisë të ligjit të dygjuhësisë në Gjykatën Kushtetuese.
“Me këtë ligj rrënohet edhe një themel i Maqedonisë, i cili i lidhte të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë këtu”, tha Janushev, duke ju bërë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe lokal që ta injorojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve.