Prokuroria e Tiranës i ka komunikuar këtë të mërkurë akuzën efektivit të policisë Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashes në rrugën Dritan Hoxha.
Akuza e re ndaj Hajdaraj është ajo e vrasjes me dashje, pasi nga hetimet ka rezultuar se Rasha ka qenë i pa armatosur në momentin që ndodhi ngjarja.
Mësohet se arma e gjetur 200 m larg vendngjarjes është e një modeli pistolete turke sportive e përshtatshme edhe për armë zjarri, por nuk i përket Klodian Rashës, pasi s’ka asnjë gjurmë të tij as ADN-je.
Akuza Nevaldo Hajdaraj i është komunikuar një ditë më parë në ambientet e paraburgimit. Fillimisht ai u arrestua me akuzën e vrasjes e kapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, por më pas hetimet zbuluan se vrasja është bërë me dashje dhe mund të evitohej.
Brenda pak ditëve dosja do të dërgohet në gjykatë për seancën paraprake.