Një akuzë e re është lëshuar në drejtim të guvernatorit të New Yorkut, Andrew Cuomo, nga një grua e cila ishte pjesë e stafit të tij.
Siç raporton Wall Street Journal, një punëtore tjetër e ka akuzuar Cuomon për sjellje të papërshtatshme.
Guvernatori demokratik më parë ishte akuzuar për ngacmim seksual edhe nga dy gra të tjera. Ndërkohë, ish-ndihmësja e tij Ana Liss ka thënë për WSJ se guvernatori e kishte pyetur nëse kishte të dashur, e kishte quajtur atë “shpirt”, e kishte prekur në shpinë dhe se po ashtu në një rast i kishte puthur dorën.
Cuomo kishte kërkuar falje në fillim të këtij muaji pasi siç ka thënë, i ka bërë njerëzit përreth tij të ndihen jo mirë mirëpo e ka mohuar se e ka prekur dikë.
“Kurrë nuk e kam prekur askënd në mënyrë të keqe. Kurrë nuk e kam menduar se jam duke e bërë dikë të ndihej keq”, kishte thënë Cuomo, duke shtuar se po mësonte nga sjellja e tij.