Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh (rreth 11 milionë paund) kundër kompanisë Samsung, duke pretenduar se kompania ka përdorur imazhin e saj në paketimin e televizorëve pa lejen e saj.
Sipas një padie të depozituar të premten në Gjykatën Federale të SHBA-së për Distriktin Qendror të Kalifornisë, Dua Lipa pretendon se Samsung ka përdorur në mënyrë të dukshme një fotografi të fytyrës së saj në paketimet e disa modeleve të televizorëve të shitura në gjithë SHBA-në, pa marrë pëlqimin e saj.
Në dokumentet gjyqësore thuhet se paketimi i Samsung ishte “projektuar për të përfituar në mënyrë të padrejtë nga suksesi i fituar me mund i zonjës Lipa, për të promovuar dhe shitur produktet e Samsung”.

BBC ka kontaktuar Samsung për koment, por deri tani nuk ka pasur një reagim publik.
Padia përfshin akuza për:
- shkelje të të drejtave të autorit,
- shkelje të markës tregtare,
- dhe përdorim të paautorizuar të pamjes dhe imazhit të Dua Lipës.
Sipas padisë, fotografia në fjalë është realizuar gjatë performancës së këngëtares në Austin City Limits Festival në vitin 2024, dhe Dua Lipa pretendon se zotëron të drejtat e autorit mbi atë imazh.
Në dokument thuhet se këngëtarja e kuptoi për herë të parë praninë e imazhit të saj në kutitë e televizorëve Samsung në qershor të vitit 2025. Gjithashtu, fansat nisën të postonin në rrjetet sociale për këtë çështje, duke e quajtur produktin “Kutia e televizorit të Dua Lipës” (“Dua Lipa TV Box”).
Padia përmend edhe disa komente në Instagram, ku një përdorues shkruante se do ta blinte televizorin “vetëm sepse Dua është mbi të”, ndërsa një tjetër komentonte: “Nëse doni të shisni diçka, thjesht vendosni një foto të Dua Lipës mbi të”.
Sipas ekipit ligjor të artistes 30-vjeçare, Samsung thuhet se ka injoruar “kërkesat e përsëritura” për të ndaluar menjëherë përdorimin që, sipas saj, shkel të drejtat e saj.
Dua Lipa ka disa partneritete komerciale me marka të njohura si Puma, Versace dhe Yves Saint Laurent. Ajo ka bashkëpunuar gjithashtu me kompani si Apple, Porsche dhe Chanel, ndërsa së fundmi është bërë ambasadore globale e Nespresso.
Albumi i saj më i fundit, Radical Optimism, u publikua në vitin 2024.

