Spanja është bërë shteti i katërt evropian që e ka legalizuar eutanazinë. Vendimi u mor me përkrahjen e 202 deputetëve, 141 të tjerë votuan kundër dhe dy abstenuan.
Kështu, Spanja iu bashkua Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut në grupin e shteteve që e kanë dekriminalizuar plotësisht procedurën, ndërsa Zvicra lejon disa forma të vetëvrasjes së asistuar.
Kanadaja është shteti i vetëm jashtë Evropës që ka ligj për lejimin e eutanazisë, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Përkrahja e spanjollëve për këtë lloj ligji u rrit pas disa rasteve të profilit të lartë, përfshirë atë të Ramon Sampedros, shkrimtar që u paralizua nga qafa e poshtë pas një aksidenti.
Ai bëri fushatë për të drejtën që t’i japë fund jetës së vet për 29 vjet, para se të vdiste nga helmimi me cianur të kaliumit në vitin 1998.
Sampedro, që nuk mundte ta vriste veten për shkak se ishte i paralizuar, u detyrua që të përdorte metodë të veçantë me disa hapa e disa persona, në mënyrë që asnjëri prej tyre të mos mund të fajësohej për vdekjen e tij.
Një ligj të ngjashëm miratoi edhe Portugalia në janar të këtij viti, por ai u bllokua këtë javë nga Gjykata Kushtetuese.
Legjislacioni i ri në Spanjë do të mundësojë që eutanazia të kryhet në atë mënyrë që stafi mjekësor t’i japë fund jetës së një njeriu për ta çliruar nga vuajtjet. Me ligjin e ri lejohet edhe vetëvrasja e asistuar, e cila duhet të kryhet nga vetë pacienti.