Takimet elektorale të kryeministrit Edi Rama u shoqëruan me protesta edhe në Gjirokastër dhe Përmet. Ndërsa në tepelenë ai u prit me këngë e valle.
Gjatë fjalës së tij në Permet, Rama aludio se opozita do që zgjedhjet të zhvillohen në muajin tetor.
“Kur të jetë gati Luli dhe kur të thotë filxhani që doli data tamam, Liri cakto këtë datën këtu se shoh një 2-sh edhe duhet të jetë 21 dhe shiko është edhe një ‘T’ këtu, nuk e di a është tetor, a nuk është tetor, por ti shikoje vet”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se 30 qershori nuk është lojë, por baza e ndërtimit të një shteti ligjor.
“Madje kishte edhe ndër socialistët që thoshin, po çna duhet ne, ne në rregull jemi. Shtyjini. S’duan këta kur të jenë gati le të vijnë ne i mundim prap. Mirëpo kjo nuk është një lojë me një top lecke, me porta të vogla në lagje. Kjo ka të bëjë me bazën e shtetit që ne po ndërtojmë dhe të shoqërisë që kemi zgjedhur, të shoqërisë demokratike”, tha Rama.
Ndërsa përpara banorëve të Dropullit, Rama foli për ndëshkim të Presidentit dhe opozitës.
“Duke bërë një ndarje detyrash, partitë me dhunën në rrugë, ndërsa Ilir Meta me dhunën në zyrë, dhunën institucionale, dhunën antikushtetuese. Duke dhunuar kushtetutën. Një histori e turpshme që meriton të ndëshkohet jo vetëm nga shqiptarët që nuk kanë lidhje me ato parti, por dhe nga ata që i përkasin atyre partive”, pohoi krye socialisti.
Në mbyllje Rama përsëriti idenë se aksioni opozitar është pasojë e frikës nga reforma në drejtësi, frikë që sipas tij do ta mbjellë edhe te populli.