Meksika ka publikuar shifrat e rishikuara, që tregojnë se vdekjet e shkaktuara nga COVID-19 në këtë shtet janë 60 për qind më të larta sesa që ishte raportuar më herët, njofton BBC.
Më tepër se 321 mijë persona besohet se kanë vdekur nga COVID-19 në Meksikë që nga fillimi i pandemisë.
Me shifrat e rishikuara Meksika tash është vendi i dytë, pas SHBA-së, për nga numri i vdekjeve nga COVID-19.
Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, është përballur me kritika për menaxhimin e pandemisë.
Opozita e ka kritikuar atë se e ka nënvlerësuar seriozitetin e pandemisë e po ashtu e kanë fajësuar për vonesat në programin e vaksinimit.
Në raportin me shifrat e rishikuara të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë së Meksikës, tregohet se deri në fund të javës së gjashtë të vitit 2021 numri total i vdekjeve që janë shkaktuar si pasojë e COVID-19 ishte 294.287, shifër dukshëm më e lartë nga ajo 182.301 sa ishte raportuar më herët.
Që nga mesi i shkurtit afro 26.800 persona është raportuar se kanë vdekur në Meksikë nga COVID-19, duke sjellë kështu shifrën totale të vdekurve në më tepër se 321 mijë.
Kjo e vë Meksikën në vend të dytë para Brazilit, që ka regjistruar mbi 310 mijë të vdekur, dhe pas SHBA-së me afro 549 mijë të vdekur.