Udhëtarëve nga vendet e BE-së që do të hyjnë në Itali do t’u kërkohet karantinimi i detyrueshëm për 5 ditë, në mesin e valës së tretë të pandemisë që ka bërë të rriten ndjeshëm infeksionet e reja në disa vende.
Vendimi i qeverisë italiane vjen në një kohë kur, edhe Gjermania u ka kërkuar të gjithë personave që udhëtojnë me avion të paraqesin një test negative të koronavirusit. Ministri i brendshëm gjerman, Horst Seehofer deklaroi se vendi do t’i shtojë kontrollet edhe në kufijtë tokësorë. Në shenjester janë sidomos udhëtarët nga Franca.
Spanja, gjithashtu ka ndryshuar rregullat për disa shtete, dhe testin negativ të koronavirusit ua kërkon veçanërisht me insistim francezëve, ndërsa ka lehtësuar disa kufizime për britanikët. Ekzekutivi italian këmbëngul që përveç izolimit për pesë dite, të ardhurit nga vendet e Bashkimit Europian të kenë një test në mbërritje dhe pas karantinës, ta bëjnë tamponin sërish.
Karantina është parashikuar edhe për vendet jashtë bllokut europian. Masa u mor pasi u pa se kishte një numër shumë të madh prenotimesh për fluturime nga jashtë, dhe prej frikës se mund të përsëritet situata e verës së kaluar kur mijëra persona, përfshirë ata që kishin udhëtuar jashtë kufijve e ishin kthyer sërish, bënë që të rritej ndjeshëm numri i infektimeve.