Nga George Friedman
Unë kam shkruar shpesh mbi të ashtuquajturat “pikat e asfiksimit”,mbi ato rrugëkalime të ngushta, në tokë apo në det, që janë thelbësore për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, sidomos në kontekstin e luftës. Ato mund të bllokohen me mjete ushtarake, nga forcat e natyrës, ose siç e pamë së fundmi nga gabimet njerëzore në kohë paqeje.
Ekzistojnë dy lloje të “pikave të asfiksimit”. Së pari lloji që krijon natyra, dhe lloji që ndërtojnë njerëzit, zakonisht për të krijuar një rrugë drejt një objektivi të dëshiruar, një rrugë që nuk ka ekzistuar më parë. Në përgjithësi, ato që krijohen nga njerëzit janë më pak të fuqishme se ato të krijuara nga natyra.
“Pikat e asfiksimit”të krijuara nga njeriu, janë normalisht më të ngushta dhe më të lehta për t’u bllokuar sesa ato natyrore. Pasi inxhinieria detyrohet që të ndërtojë një kalim me gjerësi minimale për shkak të sasisë së madhe të punës dhe kostos që nevojitet për ndërtimin e saj.
Ndërkohë natyra është më bujare. Elementi i rëndësishëm i një “pike asfiksimi” është koha. Mbyllja e përhershme e një pikë të tillë mund të ketë pasoja ekstreme, në varësi të rëndësisë së asaj që kalon nëpër të, dhe të atyre që ishin të varur nga gjërat, mjetet dhe produktet që kalonin aty.
Një mbyllje për një kohë të shkurtër, mund të ketë për krahasim pasoja të kufizuara. Lehtësia e mbylljes dhe koha që kalon deri në rihapjen e saj është jetike. Në tërësi,pikatë tilla detare priren të jenë më të rëndësishme se sa ato tokësore.
Dhe kjo kryesisht për shkak të ekonomisë moderne dhe luftës, tregtisë globale detare, varësisë së kombeve nga kjo tregti, dhe fuqisë së shtuar të forcave detare. Me pak fjalë, “pikat e asfiksimit” janë thelbësore për të menduarit gjeopolitik.
Për planifikuesit ushtarakë dhe strategët e nivelit të lartë, pikat të tilla janë gjithmonë në fokusin kryesor. Por në botën tregtare, meqë ato janë jetike si për biznesin ashtu edhe për interesin kombëtar, ka pasur një supozim të nënkuptuar se pikatë tilla janë thjesht tipare gjeografike që do të jenë përgjithmonë të vendosura.
Por ajo që dimë u trondit me bllokimin e Kanalit të Suezit. Kanali i Suezit është një kalim artificial midis Mesdheut dhe Detit të Kuq. Ai u ndërtua nga një korporatë private, në të cilën britanikët dhe francezët zotëronin shumicën e aksioneve.
Duke qenë një autostradë midis Mesdheut dhe Detit të Kuq, ajo e shkurtoi ndjeshëm distancën midis Mbretërisë së Bashkuar dhe interesave të saj të mëdha në pellgun e Oqeanit Indian, dhe midis Francës dhe zotërimeve të saj në Indo-Kinë.
Kanali i Suezit ishte themeli i perandorive evropiane në Azi, dhe mbyllja e tij do të kishte qenë një katastrofë. Sigurimi i Kanalit të Suezit, dhe i Ngushticës së Gjibraltarit, ishte një domosdoshmëri gjeopolitike për perandoritë, dhe diktoi strategjitë e tyre strategjike dhe tregtare.
Në Luftën e Dytë Botërore, Feldmarshalli gjerman Ervin Rommel tentoi të pushtonte kanalin, duke shpresuar që të ndërpriste ndjeshëm fluksin e mallrave nga India dhe ardhjen e trupave nga Australia dhe Zelanda e Re në ndihmë të britanikëve.
Në vitin 1956, kur Britania dhe Franca (të ndihmuar nga Izraeli) e pushtuan kanalin për ta penguar Egjiptin që ta shtetëzonte atë, Shtetet e Bashkuara, armiqësore ndaj interesave perandorake britanike dhe franceze, i detyruan ata të tërhiqeshin.
Argumenti që përdorën kundër dorëzimit tek Egjipti të Kanalit të Suezit, ishte se Egjiptit i mungonte ekspertiza e duhur për ta mirëmbajtur atë. Shtetet e Bashkuara, që kishin prej disa kohësh në pronësi Kanalin më kompleks të Panamasë, ishin të bindur se mund të mbikëqyrnin administrimin e tij.
Zhvendosja e Egjiptit në kampin sovjetik i minoi këto përpjekje, dhe gjendja e kanalit u bë disi më e ndjeshme. Në vitin 1967, kanali u mbyll pas Luftës Gjashtë Ditore, dhe u rihap rreth vitit 1980, pas Marrëveshjeve të Kamp Dejvid.
Mbi të ka shumë histori, por tani për tani mjafton të themi se kanali, që është një rrugë ujore artificiale dhe për këtë arsye edhe e ngushtë, ka qenë një bosht gjeopolitik që kur u hap, dhe se fati i perandorive varet nga ai. Rëndësia e tij u bë e qartë nga anija “Ever Given” që ngeci për disa ditë në kanal.
Kjo gjë krijoi një bllokim të transportit në të gjithë botën për ngarkesat që udhëtojnë midis Mesdheut dhe Oqeanit Indian. Suez është rihapur sërish për biznes, por në disa mënyra dëmi tashmë është bërë. Për shembull, Siria ka njoftuar se po i mbaron nafta.
Vendet e tjera në mbarë botën, me siguri që do të pretendojnë së shpejti të njëjtën gjë për shumë mallra të tjerë. Me sa duket, pasiguria ekonomike është këtu për të qëndruar. Sigurisht, askush nuk falimentoi nga ajo që ndodhi për disa ditë në Suez. Por, duke parë pikat e tjera të rëndësishme, nuk do të ndodhë gjithmonë kështu.
Për shembull,Ngushtica e Malakës përmes së cilës ndodh kalimi midis Oqeanit Indian dhe atij Paqësorit, është absolutisht shumë jetike për Kinën, ashtu siç janë “pikat e asfiksimit” të krijuara nga kombet dhe ishujt më të vegjël në lindje të Kinës.
Frika kryesore e Kinës, është se SHBA-ja mund të mbylli pikatë tilla në Malaka dhe ishujt aty pranë, gjë që do të dëmtonte rëndë ekonominë kineze. Bota është e mbushur me këto lloj ngushticash, me disa kombe që janë më të varura se sa të tjerët prej tyre.
Kanali i Suezit, ka treguar brishtësinë e disa “pikave të asfiksimit” të ndërtuara nga njeriu, por minat, nëndetëset, raketat e lundrimit dhe mjete të ngjashme, mund të mbyllin në mënyrë efektive dhe në çdo kohë çdo lloj piketë tillë.
Çdo luftë e ardhshme do të bazohet mbi këtë realitet, ashtu siç kanë qenë edhe luftërat e dikurshme. Suezi duhet të na kujtojë cënueshmërinë tonë jo vetëm ndaj aksidenteve, por edhe për natyrën e luftërave që për njerëzit janë gjithmonë në horizont. / “Geopolitical Futures” – Bota.al