Evropa tejkaloi Kinën për herë të parë në vitin 2020 në bazë vjetore me 1.4 milionë shitje të automjeteve elektrike, tregon raporti i IEA-së
Shitjet globale të automjeteve elektrike u rritën ndër vite me një rekord prej 41 për qind në 3 milionë vitin e kaluar ndërsa shpenzimet e konsumatorit shënuan një normë rritjeje prej 50 për qind në 120 miliardë dollarë, thuhet në raportin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Rritja rekord e shitjeve të automjeteve elektrike erdhi përkundër krizës së COVID-19 gjatë së cilës industria globale e automjeteve pësoi një goditje të madhe duke u tkurrur me 16 për qind vitin e kaluar krahasuar me vitin 2019, theksohet në raportin e IEA-së “Parashikimi Global i Automjeteve Elektrike 2021”.
Më tej thuhet se shitjet e automjeteve elektrike paraqesin 4.6 për qind të shitjeve totale globale të automjeteve vitin e kaluar.
Me rritjen e vitit të kaluar, numri i automjeteve elektrike në rrugët në të gjithë botën arriti në mbi 10 milionë, me shtimin e afërsisht 1 milion furgonëve elektrikë, kamionëve të rëndë dhe autobusëve.
Flota globale e automjeteve elektrike (EV) në vitin 2020 konsumoi mbi 80 terawat-orë energji elektrike, që korrespondon me kërkesën aktuale të energjisë elektrike të Belgjikës. Kërkesa për energji elektrike nga automjetet elektrike përbënte vetëm rreth 1 për qind të konsumit total aktual të energjisë elektrike në botë, sipas IEA-së.
Evropa, për herë të parë vitin e kaluar, tejkaloi Kinën duke regjistruar 1.4 milion automjete në bazë vjetore dhe duke u bërë qendra e tregut global të automjeteve elektrike. Ndërsa regjistrimet e automjeteve elektrike në Evropë u dyfishuan vitin e kaluar, ato në Kinë u rritën me 9 për qind në 1.2 milion. Këto shifra janë shumë më të larta krahasuar me SHBA-të, e cila regjistroi vetëm 295 mijë automjete elektrike në vitin 2020.
Kina vazhdon të prijë për nga automjetet elektrike, numri i të cilave arriti në 4.5 milionë vitin e kaluar, ndërsa numri i automjeteve elektrike të Evropës arriti në 3.2 milionë në fund të vitit 2020.
Fatih Birol, drejtori ekzekutiv i IEA-së, theksoi në raport se automjetet elektrike kanë një rol të domosdoshëm në arritjen e synimit për zero emetime në të gjithë botën dhe u kërkoi qeverive të përqendrohen në zgjerimin e infrastrukturës së automjeteve elektrike.
“Trendet aktuale të shitjeve janë shumë inkurajuese, por synimet tona të përbashkëta të klimës dhe energjisë bëjnë thirrje për tërheqje edhe më të shpejtë të tregut. Qeveritë tani duhet të bëjnë bazat thelbësore për të përshpejtuar miratimin e automjeteve elektrike duke përdorur paketat e rimëkëmbjes ekonomike për të investuar në prodhimin e baterisë dhe zhvillimin e infrastrukturës sa më të përhapur dhe të besueshme të karikimit”, tha ai.
Shpenzimet e konsumatorit për automjetet elektrike u rritën me 50 për qind të tjera në vitin 2020 duke arritur në 120 miliardë dollarë ndërsa mbështetja qeveritare ishte 14 miliardë dollarë, duke treguar një rënie për të pestin vit radhazi.
“Megjithëse nëse subvencionet qeveritare mbeten të rëndësishme për nxitjen e blerjes të automjeteve elektrike, kjo sugjeron se shitjet gjithnjë e më shumë po drejtohen nga zgjedhja e konsumatorit”, thuhet në raport.
Sipas IEA-së, prodhuesit e automjeteve ofruan 370 modele të automjeteve elektrike në vitin 2020, duke shënuar një rritje prej 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Tetëmbëdhjetë nga 20 prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve kanë njoftuar synimet për të rritur numrin e modeleve të disponueshme dhe për të rritur prodhimin e automjeteve elektrike të lehta pasi këto prodhues automjetesh përbëjnë 90 për qind të të gjitha shitjeve globale të automjeteve.
Raporti shton se: “Qeveritë ndihmuan në mbrojtjen e automjeteve elektrike nga rënia e vitit 2020 duke zgjeruar politikat ekzistuese dhe mbështetjen fiskale dhe duke i shtuar ato me masa stimuluese në përgjigje të krizës së COVID-19”.
140 për qind rritje në tremujorin e parë të vitit 2021
Rritja e fuqishme e shitjeve të automjeteve elektrike vazhdoi gjatë tremujorit të parë të vitit 2021. Shitjet u rritën me rreth 140 për qind në tre muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Rreth 500 mijë shitje në Kinë dhe 450 mijë shitje në Evropë kontribuan në këtë rritje madhështore, tregojnë të dhënat e IEA-së.
Raporti thekson se bazuar në trendet dhe politikat aktuale, numri i automjeteve elektrike, furgonëve, kamionëve të rëndë dhe autobusëve në rrugët në të gjithë botën do të shohë një shtrirje të madhe duke arritur në 145 milionë deri në vitin 2030.
Megjithatë, IEA tha se flota globale mund të arrijë në 230 milionë nëse qeveritë përshpejtojnë përpjekjet për të arritur synimet ndërkombëtare të klimës dhe energjisë, siç përshkruhet në Skenarin e Zhvillimit të Qëndrueshëm të IEA-së.
Poashtu theksohet se nëse qeveritë në të gjithë botën bashkohen për të ndjekur synimet më ambicioze të arritjes së emetimit zero deri në vitin 2050, flota globale e automjeteve elektrike do të rritet më tej.