Po vazhdon gjendja e rëndë me pandeminë në Indi. Të premten, në këtë shtet u raportua rekord i ri ditor i rasteve, ndërsa numri i vaksinimeve po bie në mënyrë drastike për shkak të mungesës së furnizimit dhe problemeve me transportin.
Shteti me popullsinë e dytë më të madhe në botë regjistroi 414 mijë e 188 raste të reja me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 21 milionë e 490 mijë numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistrua edhe shifër shqetësuese të viktimave – 3.915 të vdekur për një ditë. Kështu, numri i përgjithshëm i rasteve fatale shkoi në 234 mijë e 83, shkruan Reuters.
Kryeministri Narendra Modi është kritikuar gjerësisht për mungesë të reagimit më të shpejtë për ta shtypur valën e dytë të pandemisë pas festivaleve masive fetare dhe tubimeve politike, të cilat besohet se kanë ndikuar me të madhe në përhapjen e virusit.
Ndonëse India është prodhuesja më e madhe e vaksinave kundër Covid-19 në botë, ky shtet po ka vështirësi për të prodhuar doza të mjaftueshme për ta ulur numrin e rasteve. Ekspertët mjekësorë thonë se vaksinimi është shpresa e vetme e Indisë për ta vënë situatën nën kontroll.
Sistemi shëndetësor është nën trysni të madhe, me spitale që po mbesin pa shtretër të lirë dhe që kanë mungesë oksigjeni. Mungesë hapësire ka edhe në morgje dhe krematoriume.