Ance Johnson ka votuar për Donald Trump tre herë me radhë. Tani ndihet pak i penduar. “Nuk kam qenë shumë i kënaqur për herën e tretë,” thotë sipërmarrësi 47-vjeçar, ulur në një bar në Crescent Springs, Kentucky. “Duhej të mos niseshim për asnjë luftë të re. Çmimet duhej të binin. Na u premtuan shumë gjëra dhe nuk po mbahen”.
Johnson nuk është i vetmi votues i Trump që po ngre dyshime ndaj një presidenti amerikan i cili, pasi për një dekadë sfidoi gravitacionin politik, tani ngjan sikur po shembet përtokë. Dy javët e fundit kanë qenë ndoshta më të vështirat e mandatit të tij të dytë. Diçka duket sikur është krisur.
Pas nisjes së një lufte pa mbështeje popullore kundër Iranit, presidenti po kërkon një rrugëdalje ndërkohë që çmimet e karburanteve po ngrihen; ai ofendoi Papën dhe postoi në rrjete sociale një imazh të krijuar me AI që e paraqiste veten si Jezu Krisht; ai humbi në një seancë gjyqësore lidhur me një padi kundër Wall Street Journal për dosjet e Jeffrey Epstein; ndërsa ndërhyrja e tij në favor të një aleati autokrat në Hungari u kundërshtua nga votuesit e atij vendi.
Sipas një sondazhi të publikuar këtë javë nga Universiteti Quinnipiac, vetëm 38% e votuesve miratojnë mënyrën se si Trump po e kryen detyrën e presidentit, ndërsa 55% shprehen kundër tij. Vetëm 36% miratojnë menaxhimin e situatës me Iranin, ndërsa 58% janë kundër. Dy në tre votues e fajësojnë atë për rritjen e çmimeve të karburanteve.
Elaine Kamarck, ish-zyrtare në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës Clinton, tha se Trump “po përballet me situatën më të vështirë që ka pasur ndonjëherë,” duke përfshirë mandatin e tij të parë, ku ai u kishte gjithësesi disa kundërshti. “Është e vështirë të thuash nëse është mungesa e këtyre kundërshtive, këshilltarëve që dinin ti thonin JO, apo fakti që po plaket, por duket se ai po vuan nga një humbje dramatike e gjykimit”.
Që kur kandidoi në 2016, Trump ka kultivuar një aureolë të pamposhtshmërisë, deri në atë pikë sa mund të thuhej se ai mund të vriste dikë në Fifth Avenue dhe sërisht të mos humbte votues. Fyerjet ndaj veteranëve, apo dalja e një videoje ku mburrej për ngacmimet ndaj grave, nuk e zbehën popullaritetin e tij përkundrazi, stili i ashpër dhe moskokecarja për të thyer tabutë i mobilizoi mbështetësit e lodhur nga politikanët e establishment-it.
Imazhi filloi ti kriset gjatë pandemisë Covid dhe sidomos me humbjen e 2020-s, por Trump dhe aleatët e tij vijuan për vite me radhë duke përsëritur narrativën e vjedhjes së zgjedhjeve. Ai i mbijetoi një tentative atentati në 2024 dhe u rikthye në pushtet, duke deklaruar se ishte “i shpëtuar nga Zoti për të bërë Amerikën përsëri të madhe”.
Megjithëse muaji i mjaltit përfundoi shpejt, disa masa radikale si tarifat e forta doganore, shkurtimi i buxheteve federale dhe zbatim i rreptë i emigracionit, bënë që baza e tij të mbetej besnike. Por tani koalicioni i pazakontë që e riktheu në Shtëpinë e Bardhë po përçahet: ai po prishet me influencerë të Maga, me konservatorë fetarë, apo anti-intervencionistë që donin t’i jepnin fund luftërave të pafundme dhe ngjall mërzinë e atyre qytetarëve që kërkojnë lehtësim nga inflacioni i vazhdueshëm.
Shumica e votuesve katolikë e mbështetën Trump në 2024, por ata zor se ia falin deklarata si ato të të dielës së kaluar kur ai nisi një sulm verbal të paprecedent ndaj Papës Leo XIV — papës së parë të lindur në SHBA — duke e quajtur “të dobët ndaj krimit dhe të paditur për politikën e jashtme”, pasi Leo XIV kritikoi kërcënimet e tij ndaj Iranit. Udhëheqësit katolikë, përfshirë ipeshkvijtë konservatorë, i dënuan këto shkarje.
Më pas Trump postoi një imazh të krijuar me AI që e paraqiste veten si Jezus që shëronte një burrë të sëmurë, i rrethuar nga shqiponja dhe flamuri amerikan, në platformën e tij Truth Social. Kundërreaksioni ishte i fortë. David Brody i Christian Broadcasting Network iu drejtua: “HEQE KËTË, ZOTËRI PRESIDENT. Ti nuk je Zot. Asnjë prej nesh nuk është. Kjo shkon shumë larg.”
Imazhi u hoq brenda mesditës së hënën; presidenti tha se nuk kishte dashur të ngjasonte me Jezusin. “Duhej të isha unë si një doktor, duke i bërë njerëzit më mirë,” u shpreh ai. Por të mërkurën ai postoi një tjetër imazh ku dukej i përqafuar nga një figurë të ngjashme me Jezusin, përpara flamurit amerikan.
Kamarck thekson se “të sulmosh Papën dhe të lejojësh meme që të paraqesin si Jezu Krisht është absolutisht blasfemi. Është ofenduese edhe për ata drejtues fetarë, por veçanërisht për besimtarët — shumë prej tyre katolikë dhe ungjillorë — që kanë përbërë bazën së tij.” Ajo vuri në dukje se ky kombinim mes dëshirës për luftë, që krijoi dyshime në rradhët e lëvizjes “America First”, dhe provokimeve ndaj figurave fetare, që përçajnë rradhët e të krishterëve, po krijon krisjet e para mes mbështetësve të tij.
Konservatorë si Erick Erickson pohojnë se durimi i votuesve po soset. “Atyre nuk po u kthehet mbrapsht ajo për të cilën votuan” i tha Erickson Politico-s. “Nëse ai po tall fenë e tyre, qoftë qëllimisht apo jo, kjo le shenjë. Nga ana tjetër, ndonëse lëvizja MAGA nuk ka shfaqur ende rrebelim, baza është nxehur aq shumë sa po kërkon alternativa të tjera ndaj Trump.”
Në këtë listë janë shtuar edhe humbjet ligjore dhe diplomatike. Një gjykatë federale hodhi poshtë këtë javë padinë e tij për shpifje kundër Wall Street Journal të Rupert Murdoch, që përshkruante një kartolinë ditëlindjeje të firmosur nga Trump, për Jeffery Epstein. Gjykatësi Darrin Gayles arsyetoi se presidenti nuk e argumentonte dot standardin e dashakeqësisë që mund ti lejonte akuzën për shpifje ndaj figurave publike. Trump njoftoi se do ta riformulojë padinë.
Në planin ndërkombëtar, një tjetër zbrapsje erdhi nga zgjedhjet në Hungari: përpjekja e zëvendëspresidentit të tij JD Vance për të mbështetur Viktor Orbán dështoi, ndërsa rivalët e tij fituan thellë. Analistja Anne Applebaum shkruajti për Atlanric se kjo mund të shënojë përfundimin e ndjesisë së pathyeshmërisë brenda lëvizjes MAGA.
Por ajo që ndoshta rrezikon më shumë besimin e mbështetësve të vet është lufta me Iranin, e nisur më 28 shkurt, pa prova të një kërcënimi të menjëhershëm. Megjithë deklaratat e disa “fitoreve”, regjimi iranian mbetet i fortë dhe i radikalizuar, me ambicie bërthamore ende të pranishme dhe aftësinë për të penguar tregtinë e naftës në ngushticën e Hormuzit. SHBA-ja po humbet besueshmërinë ndër aleatët europianë dhe ata të Lindjes së Mesme.
Në një shpërthim në rrjetet sociale gjatë së dielës së Pashkëve Trump shkroi fjalë të ashpra dhe kërcënuese ndaj Iranit; dy ditë më pas paralajmëroi se “një civilizim i tërë do të vdesë sonte”. Fjalori gjenocidial dhe përdorimi përbuzës i gjuhës fetare largoi disa ish-aleatë, përfshirë podcasterë si Tucker Carlson, Alex Jones dhe Candace Owens.
Disa paralajmërojnë se lufta mund të shndrohet në ekuivalentin e uraganit “Katrina” për Trump — një goditje reputacioni si ajo që pësoi George ë. Bush pas asaj fatkeqësie natyrore. Olivia Troye, ish-zyrtare e inteligjencës në administratën e parë të Trump dhe aktualisht kandidate demokratike për Kongres, tha: “Kjo njollë do ta ndjekë nga pas sepse ai kandidoi me platformën e shmangies së luftërave. Ky është një konflikt që ai e nisi dhe askush në kabinetin e tij nuk e di se si të dalë prej tij. Nuk e di si mund ta shikosh këtë njeri dhe të mos e shohësh tek ai një mashtrues.”
Sa i përket çmimeve, kandidati Trump premtoi ulje të tyre, por kuatat e popullaritetit të tij lidhur me këtë cështje janë më të ulëta se ato të Jimmy Carter dhe Joe Biden, në të njëjtën fazë të mandatit të tyre. Javën e kaluar ai pranoi se kostoja e naftës dhe benzinës mund të mbetet e lartë edhe pas zgjedhjeve të mesit të nëntorit.
Anthony Scaramucci, ish-drejtori i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, shkroi në platformën X se Trump ka hyrë “në fazën nihiliste të karrierës së tij politike” — një fazë ku sondazhet, njerëzit dhe pasojat nuk kanë rëndësi më, dhe që e shndërron atë versionin më të rrezikshëm të tij.
Niveli më i ulët i popullaritetit që ai ka arritur përgjatë mandatit të dytë, ka ngjallur frikën tek republikanët se partia mund të humbasë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëtor. Në një rast të tillë një shumicë demokrate mund të nisë hetime kundër administratës dhe të bllokojë axhendën legjislative. Kjo do rrezikonte ta bënte presidentin më të paparashikueshëm dhe ta shtynte atë drejt refuzimit për të përfunduar normalisht mandatin.
Larry Jacobs, drejtori i Qendrës për Studimin e Politikës dhe Qeverisjes në Universitetin e Minnesota-s, e përshkruan Trumpin si “një kafshë politike të plagosur”: “Sa më i dëmtur të ndihet, aq më i pamatur bëhet. Ai po vuan deluzionin e madhështisë duke u shndërruar në një figurë politikisht të rrezikshme dhe ekzistencialisht kërcënuese për Amerikën dhe mbarë globin. Ai duket i shfrenuar — një forcë e pamatur me pasoja të mëdha globale”.

